Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Rrëfimi i nënës “Dashuria me emrin Mjalta”

Shkruar nga nëna Leonora Shabani Bajraktari

17.05.1999  Durrës

U zgjova në mëngjes, të shkoj të gjejë spitalin e Gjinekologjisë që kur t’i kem dhimbjet e lindjes me e  ditë kah me u drejtu, pasi që ishim refugjatë dhe nuk e njihja mire qytetin e Durrësit.

Mezi e prisja ditën që kam me e lind Mjaltën, e paramendoja se vajza ime ka me qenë zeshkane sikur unë por sytë e kaltër me i trashëgua nga  babi I vetë. Si çdo nënë që përgatitet për lindjen e foshnjës së saj edhe unë njëjtë por unë kisha blerë edhe “shnolla” se e ndjeja që vajza ime ka me lind me shumë flokë pasi që nëna ime më thoshte se unë si bebe kam pasur  shumë flokë. Nuk më ka shkuar në mendje asnjëherë se unë mundem me qenë një nënë e një fëmijë me probleme shëndetësore, por as që kam me e lind një fëmijë me nevoja të veçanta.

 Në mëngjesin e  datës 18.05.1999 në ora 7:15  lindi Mjalta me peshë 2650gr,  50cm, e bukur, me flokë shumë dhe të zeza , me lëkurë e bardhë, rrethit të syve e kishte një vijë të zezë, edhe pse mua më dukej shumë e bukur edhe me atë vijë, dukej sikur me qenë e lyer  me vije të zezë të “llajnerit”.

Spitali I Durrësit për herë të parë kishte aq shumë pacientë dhe unë bashkë me disa gra të tjera nga Kosova ishim  në katin e tretë ku nuk ishte shfrytëzuar me herët, rrallë vinin mjekët të na  kontrollonin, apo më mirë të them asnjëherë nuk u kontrollova pas lindjes për tri ditë rresht.

Në ditën e tretë  erdhi një Neonatologe në dhomën tonë dhe filloi me I lajmërua nënat se janë të lira të dalin nga spitali, mua me kaloi nuk foli me mua, pasi që ajo filloi të dal nga dhoma vrapova pas saj, thash me vete më harroi kjo mua, e ndala dhe e pyeta:

Doktoreshë, më duket më harrove mua, a mundem edhe unë të dalë nga spitali, pasi që unë po ndihem mirë edhe vajza po me duket mirë!?

Ajo me një zë të butë po me kthen përgjigjen:

He mi zemra si të duket goca ty?

Unë: Shumë e bukur !

Ajo: Si të duken sytë, hunda, veshët ?

Unë: Shumë të bukur, bile sytë sikur me i  lyer me “llajner”- flisja me shumë shpirt, me shumë ëmbëlsi.

Ajo: Më fal zonjë por tek goca e jote e kemi dëgjuar një zhurmë në zemër, dhe është mjaft serioze, kështu  qe ti nuk mund të dalësh ende nga spitali!

U shtanga një bombë atomike u aktivizua në kokën time, fillova me pyetje:

Nëse qëndrojë në Spital do ma operoni vajzën?

Ajo: Jo është një intervenim shumë I rënd dhe në Shqipëri nuk e bëjmë dot.

Tash unë isha për tokë , nuk dija si me e ndihmuar vajzën, por e dija që nëse rri në këtë spital vetëm e ngadalësojë vajzën dhe me vetë dëshirë kërkova me dal  nga spitali, me mendimin se tash do të shkoj në të gjitha kampet që ishin të formuara nga shtetet e ndryshme të botës që ndihmonin refugjatët nga Kosova dhe mendoja se me siguri ndonjëra do ia mundësojnë vajzës sime operacionin në zemër.

I vizitova shumicën e kampeve asnjëra nuk ia bëri të mundshme vajzës sime të operohej në vendet e tjera të botës.

Kalojë një kohë….kështu duke kërkuar ndihmë ku do që dëgjoja ndonjë mundësi.

Mbarojë lufta….

Unë bashkë më burrin shkuam në Tiranë, ne spital…aty më kontrolluan Mjaltën. Gjatë gjithë kohës, çdo ditë e më shumë e kuptoja që edhe diçka tjetër nuk ishte në rregull me Mjaltën, pasi që gjithmonë mjekët flisnin pas shpinës sime.

Unë mundohesha të jem një nënë e kujdesshme, një nënë që do të bëjë çdo gjë për lumturinë e saj dhe prapë nuk doja ta mendoja atë që nuk më pëlqente.

Pas një muaji burri po më tregon që vajza jonë është edhe me Doën Syndrome, e pyeta çfar është Doën Syndrome?

Ai ma ktheu “ne duhet të punojmë më shumë me të”. 

Nuk u mërzita sepse nuk qenka ndonjë punë e madhe,  pasi qenka në dorën time unë e di që do mundohem për të, ky është obligim i imi, është detyrë e imja apo e të dy prindërve, s’kemi pse me kursye kohë për të mirën e vajzës sonë, por problem kryesor ishte zemra e saj që po mundohej aq shumë, e ne nuk po mundeshim  me bo diçka më shumë për operimin e zemrës së saj të vogël!

U kthyem në Kosovë duke menduar që këtu do të mund të operojmë vajzën, Filluam kontrolla, analiza dhe në fund Mjalta u diagnostikua me A-V Canalis Completa , problem shumë serioz, më e keqja se asnjë fëmijë që lindin me probleme të ndryshme të zemrës nuk operohen në Kosovë, kuptohet edhe Mjalta e kishte këtë fat.

Dëgjoja për disa organizata që I merrnin fëmijët me problem në zemër, i trajtonin në Evropë, filluam me I kontaktua, nuk kisha qasje ndryshe vetëm përmes mjekëve tanë, por fëmijët me Down Syndrome nuk I shtinin në ato lista për një operim të mundshëm.

Gjate luftës jemi shoqëruar me një mike nga SHBA, në fillim të  vitit 2000 i kërkova burrit që ta kontaktojmë, përmes  Email-it  ndoshta ajo mundet me na ndihmua që Mjaltës të i mundësohet operimi në zemër.

Ajo e ktheu përgjigjen menjëherë dhe në Shtator e kishim kontrollin e parë në Children’s Hospital Boston, isha shumë e lumtur.

Me 14.09.2000 u nisa me Mjaltën në SHBA ishte shumë rrugë e gjatë, në aeroplan më shikonin sikur me qenë alienë, pasi që Mjalta nuk ndihej mirë për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë fluturimit, ajo kishte barkqitje dhe vjellje, fillova me i humb shpresat, mos nuk po ia del vajza deri në spital, askush nuk më afrohej isha krejt e vetme dhe të gjithë udhëtarët dolën në një anë të aeroplanit e unë vet me vajzën në anën tjetër.  Mjalta nuk kishte fuqi të qajë, por e vjellja e saj edhe barkqitja e saj i pengonte të tjerët e Mjalta ishte 16 muajshe por ishte vetëm 4.5 kg!

Mbërrina në këtë spital, u gëzova pa masë, nuk mërzitesha për arsye se unë për 16 muaj rresht e kam kërkuar këtë ditë, nuk besoja se vajza mundet të më vdesë gjatë operacionit sepse besoja në staf të këtij spitali por gjithashtu për herë të parë diagnoza e Mjaltes ishte operua në vitin 1990 nga I njëjti kardiokirurg pediatër që do e operonte Mjaltën.

Aty e kuptova që kjo diagnozë do të duhej të operohej në gjashtë muajt e parë të lindjes,  sepse tash iu kishte shfaqur edhe diagnoza Arterial pulmonary hypertension (Tension I lartë I mushkërive), ishte vonë por zoti edhe mjeku kanë dashtë që Mjaltës të ia mundësojnë të jetojë më gjatë.

Operacioni shkojë mirë, Mjalta u rrit pranë neve prindërve e motrës…. jetojë e na fali dashuri pa kusht edhe disa vite tjera…
Sfidat nuk munguan asnjëherë, por dashuria e madhe që Mjalta kishte për ne ishte motivi më i madh që ne së bashku si katërshe të luftonim për mirëqenien e saj…

Rrëfimi im nuk mbaron këtu….takohemi prapë me rreshtat e dalë nga shpirti i një nëne. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë