Pre, Jan 22, 2021
Banner Top
Banner Top
Rëndësia e shëndetit mental në kohën e pandemisë

Intervistë me Leotrim Edipi – Psikolog

COVID-19 përveç që ka ndikuar në rëndimin e shëndetit fizik dhe në sfera të tjera jetësore, nuk e ka lënë pa pasoja as shëndetin mental i cili ka dalë jo pak i cenueshëm në këto pesë muaj pandemi.

Problemet e shkaktuara nga izolimi dhe ndjesia se kjo periudhë do të zgjasë gjatë, ka ndikuar që t’i kushtohet një rëndësi e veçantë shëndetit mental.

Sipas psikologut Leotrim Edipi, gjendja psikike e njerëzve është e rënduar këto kohë, duke theksuar kështu se stresi dhe ankthi kanë filluar që të rriten si pasojë e ndjenjës së vetmisë, pasoja këto që iu paraprinë faktori ambiental (rrethi social) dhe individual. Edipi, ndër të tjera, shtroi nevojën e një angazhimi maksimal të institucioneve përkatëse në menaxhimin e këtyre krizave nervore pasi, sipas tij, është qenësore ndërmarrja e  veprimeve të tilla.

Në këto pesë muaj pandemi, kur numri i rasteve të dhunës në familje ka pësuar ngritje, ai na shpjegon shkaqet psikologjike pse ndodhin këto dukuri dhe cilat profile njerëzish janë më të rrezikuar nga dëmtimet psikike.

Faktorët e rrezikut për dhunën në familje, siç janë: papunësia, të ardhurat materiale të reduktuara dhe mungesa e mbështetjes sociale, kur kombinohen me stresin dhe ankthin që është shkaktuar si pasojë e pandemisë rezultojnë në ngritjen e nivelit të dhunës. Masat e tilla si distancimi social, daljet e reduktuara, reduktimi i aktiviteteve në komunitet etj., e rrisin rrezikun për dhunë familjare”, deklaron Edipi për portalin Familja jonë.

Më të rrezikuarit nga problemet psikike në këtë kohë janë fëmijet e abuzuar, fëmijet pa kujdesje prindërore dhe personat që paraprakisht kanë zhvilluar ndonjë çrregullim të caktuar psikik” shtoi ai.

Sipas Edipit, në menaxhimin e situatave të tilla kanë rëndësi edhe tiparet e personalitetit, ku thekson se personat ekstrovertë (njerëz të hapur dhe shoqërueshëm) e përballojnë më me vështirësi këtë situatë, për dallim prej introvertëve (njerëz të mbyllur dhe jo shumë të shoqërueshëm) që këto situata i kalojnë më lehtë. Ndërkohë që për hapat që duhet ndërmarrë nga njerëzit me gjendje të rënduar psikike, ai rekomandon fuqishëm këshillimin me psikologun, pasi, sipas tij, është e rëndësishme që, përveç tjerash, të thyhen barrierat e konsultimit me psikolog.

“Njerëzit në përgjithësi duhet ta kuptojnë në parim se hapi më i mirë që mund të bëjnë është këshillimi me psikologun dhe të thyejnë çdo barrierë dhe paragjykim për rolin e psikologut. Përmes ekspozimit, ata do ta kuptojnë se psikoterapia është thjesht një mjet për ta njohur veten, për t’u përballur me problemet dhe një vend ku shprehen lirshëm pa paragjykime dhe duke qenë të pranuar dhe respektuar për atë që janë”, shpjegoi ai.

Ndërsa në pyetjen se a ka mundësi të shfaqjes se problemeve të theksuara psikike në postpandemi, ai u përgjigj:

“Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 , mund të ndikojë në zhvillimin e problemeve më të theksuara psikike në postpandemi sidomos në kontekst të çrregullimit të Stresit Postraumatik. Por, edhe pse në thelb pandemia mund të cilësohet si një fatkeqësi që do të ketë pasoja psikologjike, konsideroj që me rritjen e cilësisë së strategjive intervenuese në kontekst të shëndetit mendor, përkrahjen sociale, empatinë, mirëkuptimin dhe altruizmin do të kemi një botë më ndryshe postpandemike. Jam optimist se pandemia do të jetë si një rikthim në ‘’origjinalitet’’, te njeriu ‘’human ‘’, që në esencë është qenie e mirë, e jo siç jemi shndërruar në modernitet qenie që ka harruar tjetrin e vetën”, përfundoi ai.

Deri më tani, në Kosovë dhe tërë botën, studimet tregojnë një rritje të konsiderueshme të stresit tek njerëzit gjatë kohës së pandemisë. Vetëm në Kinë, vend në të cilin ka kaluar virusi, regjistrohen rezultate aspak të mira në raport me stresin post-traumatik dhe probleme tjera psikike. Në një anketim të zhvilluar atje, që përfshinte diku rreth 1200 respodentë (pjesëmarrës), tregohet se 30% e këtyre personave vuajnë nga nivele të larta të stresit dhe ankthit. Ndërsa sa i përket stresit post-traumatik, studimet  tregojnë se ai ka pësuar rritje prej 7 për qind te njerëzit.

Këto dhe shumë të dhëna tjera janë tregues të qartë se shëndeti mental është ndër nevojat fundamentale për njerëzit në të gjithë botën./Familja Jonë

Arkiva

Kategoritë