Mër, Dhj 2, 2020
Banner Top
Banner Top
RËNDËSIA E GJUMIT

Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

Të dhënat që rrjedhin nga shkolla prestigjioze mjekësore e Harvardit sugjerojnë se gjumi i rregullt, megjithatë, është faktor shumë i rëndësishëm në periudhën afatgjatë për përqendrimin, disponimin, aftësitë kognitive dhe në përgjithësi, për shëndetin. Bindja se shmangia e gjumit (me qëllim të mbërritjes së provimeve apo të afateve kohore të punës) përmirëson përqendrimin vlen vetëm për një periudhë të shkurtër dhe kalimtare, por afatgjatë lë pasoja të dëmshme për shëndetin.

Studimi i fundit dëshmon se gjatë gjumit truri i largon proteinat toksikë nga neuronet të cilat grumbullohen në to gjatë gjendjes së zgjuar. Prandaj, kur nuk flemë mjaftueshëm, proteinat toksikë grumbullohen dhe shkaktojnë pengesa, të ciltat nuk mund të shmangen me çfarëdo sasie qoftë të kafesë.

Shmangia e gjumit e ngadalëson aftësinë e përpunimit të informatave dhe të zgjidhjes së problemeve, e mbyt kreativitetin dhe e ngrit nivelin e stresit. Sulmi në zemër, ai në tru dhe obeziteti favorizohen nga mungesa e gjumit. Kurse, prodhimi i tepërt i kortizolit gjatë mungesës së gjumit e dobëson sistemin imunologjik, e zbërthen kolagjenin e lëkurës duke na bërë të dukemi më të moshuar, e pakëson numrin e spermatozoideve dhe e ul nivelin e testosteronit në gjak.

Gjumi i pakët e vështirëson djegien e kalorive, na bën të ndihemi më të uritur për shkak të stimulimit të hormonit “ghrelin” (stimulues i apetitit) dhe na e vështirëson ngopjen duke e ulur hormonin “leptin” (hormoni i ngopjes).

Shumicës së njerëzve u duhen 7-9 orë gjumë. Disa pika që mundësojnë përmirësimin e higjienës së gjumit janë:
1. Shmangia e barnave për gjumë
2. Ndërprerja e konsumimit të kafeinës (pas drekës)
3. Shmangia e dritës së kaltër natën
4. Zgjimi përditë në të njëjtën kohë
5. Mosndërrimi i orarit të gjumit gjatë fundjavave
6. Mësimi se sa gjumë na duhet
7. Ndërprerja e punës mbrëmjeve
8. Shmangia e faktorëve që e ndërpresin gjumin
9. Mësimi i meditimit /Familja Jonë

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë