Die, Tet 25, 2020
Banner Top
Banner Top
Radiologjia në Vushtrri – nuk funksionon metoda CT për vërejtjen e COVID-19

Ndonëse shihet si një mënyrë më e avancuar për detektimin e koronavirusit kur ky i fundit sulmon mushkëritë e pacientit, metoda CT në Klinikën e Radiologjisë në komunën e Vushtrrisë nuk është funksionale. Tash e më shumë se pesë muaj qysh kur është shfaqur COVID-19, ky sektor, në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, ka funksionuar vetëm me metodën e radiografisë, në raport me identifikimit e virusit në organizëm.

Në një intervistë me Bahrie Ademi, specialiste e radiologjisë në këtë komunë, theksohet se ky problem paraqet një mangësi në këtë klinikë. Por CT nuk është se po del të jetë e pazëvendesushme si metodë, pasi që diagnostifikimi themelor i COVID-19 po bëhet përmes radiografisë.

“Në komunën e Vushtrrisë në radiologji, metoda CT nuk punon tash e një vit, që është një hendikep, por ndoshta edhe jo shumë i madh për diagnostifikimin e pacientëve me COVID-19, pasi që diagnostifikimi themelor për COVID-19 në radiologji është radiografia”, shprehet Ademi për portalin shëndetësor Familja jonë.

Ajo, ndër të tjera, theksoi se situata epidemiologjike në komunën e Vushtrrisë është e mirë, marrë parasysh këtu statistikat e IKSHPK-së të cilat tregojnë se kjo komunë po shënon ulje të numrit të rasteve të të infektuarve.

Anipse llogaritet si një virus që nuk po kursen askënd, Ademi nënvizon se moshat më të goditura nga kjo pandemi janë moshat e mesme dhe të shtyerat, kategori këto që po i përballojnë me telashe simptomat e shkaktuara nga virusi.

Vështirësitë që shkaktohen nga COVID-19, sipas Bahrie Ademit, lidhen me organet e frymëmarrjes, duke theksuar kështu pneunominë si një problem jo lehtë i kalueshëm i cili mund të lërë edhe probleme afatgjate te pacienti.

“COVID-19 në mushkëri shkakton inflamacion të rrugëve të poshtme të frymëmarrjës, që do të thotë pneunomi. Në raste të shumta tërhiqet inflamacioni dhe shërohet pacienti, kurse në raste të caktuara mbesin dëmtime të përjetshme dhe pacientët jetojnë me oksigjenoterapi tërë jetën, besoj. Si dhe rastet kur inflamacioni nuk mund të tërhiqet dhe gjendja gjendja shkon vazhdimisht drejt përkeqësimit, ashtu që pacientët përfundojnë me vdekje”, shtoi ajo.

E pyetur nëse ka pasur raste kur pacienti ka dalë negativ në testin RT-PCR dhe i njëjti ka rezultuar pozitiv me radiologji, Ademi u përgjigj se nuk ka informacione të sakta, por ka pasur raste të tilla.

Për fund, Ademi deklarohet me optimizëm lidhur me kohëzgjatjen e pandemisë. Sipas saj, nëse vazhdohet me këtë trend uljeje të rasteve sikur këto dy-tre javët e fundit, virusi mund të ketë fund të shpejtë.

“Pandemia, nëse vazhdohet me uljen e rasteve të të prekurve sikurse këto dy-tre javët e fundit, besoj se nuk do të zgjaste shumë, mirëpo duke e parë situatën në botë është e vështirë të parashkohet afat i caktuar kohor”, përfundoi ajo.

Gjatë tre javëve të fundit, në Kosovë ka pasur një ulje të dukshme të rasteve të prekura me COVID-19, ashtu që numri i të infektuarve në ditë ka zbritur në më pak se 80 raste. Vushtrria, që në fillimet e pandemisë kishte një numër të lartë të të infektuarve brenda ditës, kohëve të fundit po duket më e stabilizuar në këtë rrafsh. Sipas të dhënave nga kjo komunë, numri total i të infektuarve nga e gjithë periudha e pandemisë kap shifrën e 780-800 personave.

Arkiva

Kategoritë