Mar, Jan 19, 2021
Banner Top
Banner Top
QKUK i kërcënon me revokim të licencës infermierët që refuzojnë të punojnë në klinikat Covid

Menaxhmenti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka vendosur të marr masa për infermierët që refuzojnë të punojnë në klinikat Covid.

Drejtori i Infermierisë në QKUK Sami Tahiraj, ka kërkuar nga kryeinfermieret e klinikave të bëjnë një listë me emra të infermierëve të cilët mund të punojnë në klinikat Covid. Por duket se kjo kërkesë e tij nuk është respektuar, pasi disa infermierë kanë refuzuar të punojnë me pacientët e sëmurë me koronavirus, për arsye të ndryshme, shkruan Gazeta Shneta.

Në një email që ka siguruar Gazeta, Tahiraj ka kërkuar nga kryeinfermieret që t’i procedojnë në Komisionin Disiplinor ata infermierë që refuzojnë të punojnë në klinikat Covid pa ndonjë arsye të qëndrueshme. Madje ata janë kërcënuar edhe me heqje të licencës, e për gjithë këtë është në dijeni edhe drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi.

“Jeni të obliguar t’i procedoni me automatizëm në komisionin disiplinor dhe poashtu në Odën e Infermierëve ku do të kërkohet revokim i Licencave të punës. Në të kundërtën nëse nuk mirren masa ndaj personave që nuk përgjigjen do të mirren masa ndaj përgjegjësve të tyre, e gjithë kjo në konsultim me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së”, thuhet në këtë email.

Por Tahiraj ka mohuar se ka kërcënuar ndonjë infermier. Ai thotë se mund të ketë pasur ndonjë debat më ndonjë prej tyre që ka refuzuar të punojë.

“Përforcimi sipas nevojave të Klinikave me Covid-19 është bërë në bazë të konkluzioneve të mbledhjes së Komitetit të datës: 11.03.2020, ku kërkohet mobilizim i stafit (mjekë e infermierë), me datën: 16.03.2020, është miratuar ‘Transferi i stafit për Brenda QKUK-së’ (Nr: 2368, datë: 16.03.2020), poashtu kemi edhe Masat e reja të Qeverisë së Kosovës të datës: 05.07.2020, ku kërkohet Riorganizim i Klinikave. Vlen të ceket së që nga fillimi i rasteve të para (13.03.2020) kemi pasur vazhdimisht pengesa dhe refuzime të disa individëve që të shkojnë në mbështetje të Klinikave me Covid-19”, thuhet në përgjigjen e Tahirajt.

Ai ka thënë se kompetent për përpilimin e listës brenda Klinikës është kryeinfermieri i Klinikës i cili e njeh më si miri stafin e tij (moshën, gjendjen shëndetësore, etj).

“Gjatë kohës së Pandemisë kur të gjithë jemi dëshmitarë rreth nevojave për staf shëndetësor, refuzimi i punës mund të këtë konsekuenca ligjore (komision disipinor, këshill etik –OIK, etj). Duke pasur parasysh se QKUK-ja edhe ashtu ka pasur mungesë të infermierëve, infermierë të sëmurë, me moshë mbi 60 vjet, shtatëzëna, çdo ditë staf të infektuar, etj. ka qenë dhe është e domosdoshme plotësimi i stafit”, ka deklaruar ai.

Infermierët e klinikave tjera janë duke ndihmuar kolegët e tyre në Klinikën Infektive, Klinikën e Pulmologjisë dhe Dermatologjisë për trajtimin e pacientëve me Covid. Shumë prej tyre janë paraqitur edhe vullnetarë për ta bërë këtë punë.

Arkiva

Kategoritë