Hën, Mar 8, 2021
Banner Top
Banner Top
Prof. Lul Raka: Covid-19 me vdekshmëri më të ulët por me përhapje më të shpejt sesa SARS

Profesori i mjekësisë në Katedrën e Mikrobiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës Prof. Asoc. Dr. Lul Raka thotë se pavarësisht se koronaviruset njihen që nga viti 1965, ky i riu i shfaqur në Kinë ka shkaktuar frikë dhe panik të shpejt në botë.

Ai thotë se brengosëse është fakti se profesionistët ende nuk e dinë gjenezën dhe potencialin e këtij virusi. “Ajo që dijmë është se ka vdekshmëri shumë të ulët afër 2% dhe prek kryesisht njerëzit që kanë probleme tjera bashkëshoqeruese shëndetësore (sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, diabet, imunitet të dëmtuar etj). Megjithatë shkallën e infekciozitetit virusi i ri e ka gati dyfish më të lartë sesa SARS-Coronavirusi”, ka deklaruar Raka

Lexoni më poshtë intervistën e plotë:

I nderuar profesor, siç e dini edhe ju Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallë koronavirusin e ri Covid-19 si urgjencë globale dhe ka kërkuar nga të gjitha shtetet e botës që të marrin masa parandaluese. Deri më tani nga kjo sëmundje kanë ndërruar jetë rreth 1400 persona në Kinë dhe mbi 60 mijë janë infektuar.

Profesor, a mund të na tregoni sa është duke u rrezikuar bota nga koronavirusi i ri për dallim nga viruset tjera si fjala vjen SARS me të cilin është krahasuar deri para disa ditëve?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Frika dhe panika janë përhapur shumë më shpejt sesa virusi. Koronaviruset nuk janë viruse të reja sepse i njohim që prej vitit 1965 si shkaktarë të shpeshtë të flamës së zakonshme në mbarë botën dhe deri vonë ato nuk kishin ndonjë peshë të madhe në aspektin klinik. Por, në dy dekadat e fundit u shfaqen dy tipe të reja të koronaviruseve. Njëri më 2002 filloi në Kinë duke shkaktuar SARS (Sindroma Akute Respiratore e Rëndë) dhe tjetri më 2012 në Arabinë Saudite duke shkaktuar Sindromën Respiratore të Lindjes së Mesme. Në të dy rastet e epidemive burimi i infeksionit vinte nga kafshët (lakuriqat, macet, devet etj). Vdekshmëria e të parit ishte 10%, kurse MERS pati një vdekshmëri 35%. Asnjë rast nuk ka pasur asokohe në Kosovë me këta viruse dhe asnjëri prej tyre nuk është përhapur gjatë fazës së inkubacionit.

Ajo që sot na brengos është fakti se kemi të bëjmë më një virus të ri të familjes së Koronaviruseve Covid-19, por ende nuk e njohim plotësisht patogjenezën dhe potencialin e tij virulent. Ajo që dijmë është se ka vdekshmëri shumë të ulët afër 2% dhe prek kryesisht njerëzit që kanë probleme tjera bashkëshoqeruese shëndetësore (sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, diabet, imunitet të dëmtuar etj). Megjithatë shkallën e infekciozitetit virusi i ri e ka gati dyfish më të lartë sesa SARS-Coronavirusi. Burimi i përhapjes së infeksionit duket se janë kafshët.

Përhapja e koronavirusit në botë është bërë lajm kryesor nga shëndetësia qe gati një muaj dhe ka lënë mënjanë një tjetër epidemi virale që godet vendet në të gjithë botën- gripin sezonal. Mos të harrojmë se gripi i zakonshëm shkakton 5 milionë raste të sëmundjes në botë me gati afër gjysmë milioni raste të vdekjes. Tashmë ka shkaktuar vdekjen e 7 njerëzve edhe në Kosovë me mijëra raste të sëmundjes. Vetëm gjatë këtij sezoni, në SHBA gripi ka shkaktuar 19 milion raste të sëmundjes, 10,000 vdekje dhe shkallë të përgjithshme të vdekshmërisë prej 0.05%.

Pse ka pasur një rritje kaq të madhe të rasteve të raportuara nga Kina me datën 13 shkurt? A po përkeqësohet epidemia apo ka diçka tjetër?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Më 13 shkurt, statistikat zyrtare të raportuara nga Kina përfshinë 15.141 raste të reja të COVID-19, që paraqet numrin më të madh të rasteve të raportuara brenda një dite që nga fillimi i epidemisë. Por, këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të qasjes së raportimit.

Deri më 13 shkurt si raste pozitive janë raportuar vetëm ato që janë vërtetuar në laborator, kurse prej dje këtu janë përfshirë edhe rastet e dyshimta që kanë diagnozë klinike të pneumonisë. Kjo ka rritur numrin në mënyrë drastike krahasuar me periudhën paraprake.

Disa ekspertë kanë konstatuar se fuqia dhe efekti i koronavirusit do të fillojë të bie shumë shpejt me përmirësimin e motit, por në anën tjetër ekspertë të tjerë kanë ngritur dyshime se numri i të prekurve nga sëmundja dhe numri i të vdekurve është shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare. Po ashtu ka disa raportime se në Wuhan ku është shfaqur virusi për herë të parë, po bëhen krematoriume masive për të vdekurit për të parandaluar shpërndarjen e sëmundjes. A keni bërë ndonjë studim cila është e vërteta në këtë situatë?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Studime të tilla janë bërë nga ekspertë ndërkombëtarë dhe të dhënat e tyre bazohen në disa modele matematikore. Megjithatë, për momentin ato mbeten kundërthënëse. Ajo që mund të them është se lakorja e këtij shpërthimi është e pamundur të parashikohet saktë, por duket se do të përballemi me një pandemi e cila do të zgjasë jo me ditë e javë, por mbase me muaj të tërë.

Kurse, krematoriumi është një prej procedurave që është duke u përdorur në Kinë, sidomos në Vuhan.

A shpërndahet koronavirusi Covid-19 ndërmjet njerëzve në kohën e inkubacionit? Nëse po, atëherë si mendoni ju, sa mund të jetë numri i përafërt i personave të prekur nga ky virus?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Edhe pse kafshët janë burimi i virusit Covid-19, ai tashmë është përhapur edhe nga njeriu në njeri. Aktualisht nuk ka informacione të mjaftueshme epidemiologjike për të përcaktuar plotësisht lehtësinë dhe qëndrueshmërinë e përhapjes ndërmjet njerëzve. Virusi duket se bartet kryesisht përmes spërklave kur personat e sëmurë teshtijnë dhe kolliten. Me këtë rast viruset barten tek personat që qëndrojnë pranë këtyre pacientëve për një kohë më të gjatë (zakonisht mbi 15 minuta), siç janë familjarët apo punëtorët shëndetësorë.

Zakonisht, te shumica e viruseve të rrugëve të frymëmarrjes të sëmurët janë më së shumti infektivë kur janë në kulmin e sëmundjes.  Deklarata e Ministrit të Shëndetësisë së Kinës se bartja e virusit të ri mund të ndodh edhe gjatë inkubacionit ka shkaktuar mjaft huti dhe nuk është përcjellë me dëshmi plotësuese. Po ashtu, disa hulumtime që kanë supozuar për këtë rrugë të përhapjes te rastet e pacientëve në Gjermani, janë demantuar nga institucionet përkatëse shëndetësore apo tërhequr nga vetë autorët e këtyre hulumtimeve. Kjo çështje mbetet të hulumtohet më tej.

Sa zgjat koha e inkubacionit dhe si manifestohet?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Periudha e inkubacionit ka pasur një rang prej 1-15 ditësh, por mediana ka qenë 5-6 ditë. OBSh rekomandon që mbikëqyrja e njerëzve që kanë pasur kontakt me të sëmurët me Covid-19 të jetë 14 ditë.

Simptomat i ngjasojnë gripit dhe janë ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje,  dhimbje muskujsh dhe  lodhje. Rastet më serioze zhvillojnë pneumoni të rëndë dhe sepsë që mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit.

Deri më tani virusi është shpërndarë në rreth 30 vende të botës me rreth 600 raste. A mendoni se do të shtohet numri i të prekurve dhe vendeve? Sa është i rrezikuar rajoni jonë dhe Kosova nga ky virus?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Po, trendi është në rritje e sipër dhe ky numër do të rritet. Rajoni ynë ka shkallë më të ulët për shkak të mungesës së lidhjes direkte me Kinën, por globalizmi është faktor ndihmues në përhapjen e sëmundjes dhe ne duhet të jemi të gatshëm për këtë përballje.

Ju jeni koordinator i i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. A keni marr rekomandime nga kjo qendër për Covid-19 dhe sa po zbatohen ato në Kosovë?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Po, jemi në kontakte ditore edhe me ECDC edhe me OBSH dhe të gjitha aktivitetet tona bazohen në dokumentet strategjike të këtyre institucioneve.

Sa është e përgatitur Kosova për këtë virus, duke përfshirë masat parandaluese, maskat e duhura për personelin mjekësor, reagensët për diagnostikim, diagnostikimin në hyrjet kufitare dhe aeroport, dhe terapitë adekuate me medikamentet e nevojshme?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Kosova qysh në javën e parë të vitit të Ri ka rritur kapacitetet e gatishmërisë për përgjigje ndaj Covid-19 dhe brenda 10 ditësh ka përgatitur Planin e Gatishmërisë me përfshirjen e të gjitha institucioneve relevante. Masat parandaluese fillojnë me kontrollin e hyrjes së udhëtarëve nga vendet e prekura, për t’u pasuar nga identifikimi i shpejtë i rasteve, diagnoza e hershme e sëmundjes, izolimi i pacientëve të sëmurë, gjurmimi i kontakteve të të sëmurit dhe masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve.

Ndërkaq masat kryesore individuale për parandalimin e sëmundjes janë: higjiena e duarve , mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes , shmangia e kontaktit me çdokënd që ka simptoma të ftohjes dhe gripit dhe lajmërimi te mjeku nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Për shkak se ende ka paqartësi në kapacitetin e përhapjes së virusit të ri, masat parandaluese shkojnë drejt nivelit maksimal të parandalimit e kontrollit. Punëtorët shëndetësorë duhen t’i zbatojnë masat standarde mbrojtëse për të gjithë pacientët e dyshimtë (higjiena e duarve, dorëzat, manteli) dhe po ashtu edhe masat empirike shtesë (përdorimi i syzeve ose mburojës së fytyrës; përdorimi i respiratorëve sipas standardeve të përcaktuara nga US National Institute for Occupational Safety and Health (NIOSH)-certified N95, ose European Union (EU) standard FFP2 , ose i barasvlershëm me to), zbatimi i masave administrative të kontrollit të infeksioneve; përdorimi i masave të kontrollit mjedisor (pastrimi i mjedisit, dezinfektimi) dhe kontrolli inxhinierik përmes ventilimit të duhur në dhomat e pacientëve.

Shteti duhet të kujdeset që të sigurojë qëndrueshmëri të furnizimit dhe të gjitha kërkesat e parashtruara nga akterët profesional të përmbushen, me qëllim që të mbrohet edhe popullata edhe punëtorët shëndetësorë nga kjo sëmundje.

A nevojiten maska dhe veshje ekstra për këtë sëmundje për personelin mjekësor dhe a i posedon Instituti këto materiale?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Gjithsesi nevojiten dhe Instituti i posedon sikurse edhe Klinika infektive.

A do të duhej me pas një hapësirë karantine në Klinikën Infektive për rastet e mundshme?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Klinika infektive do të ishte një karantinë e tillë, por varësisht sipas dinamikës duhet të ketë edhe ndonjë objekt tjetër të jashtëm që luan rolin e karantinës (kazermë, hotel apo objekt tjetër i adaptuar).

A përdoren medikamentet Oseltamivir (Tamiflu) për trajtimin e koronavirusit? A ka një protokoll nga OBSH për trajtimin e kësaj sëmundje?

Prof. Asoc. Dr. Lul Raka: Nuk ka trajtim specifik për këtë sëmundje, kështu që qasja e përdorur për të trajtuar pacientët me COVID-19 është që të trajtohen simptomat klinike. Kujdesi mbështetës, përfshirë terapinë me oksigjen, administrimin e lëngjeve dhe antiviralët kanë pasur efekt për disa të infektuar. Disa barna specifike janë nën hulumtime eksperimental. Në procedurë të shpejtë është edhe përgatitja e vaksinës për hulumtime klinike e cila ka filluar atë ditë që është publikuar gjenomi i virusit nga shkencëtarët kinez. /Gazeta Shneta/Familja Jone

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë