Sht, Tet 24, 2020
Banner Top
Banner Top
Përmbledhje e emisionit “Familja jonë”, dita e shtunë

Familja jonë e vazhdoi rrrugëtimin  edhe këtë javë në Kanal 10. Siç tashmë i ka mësuar shikuesit e saj me tema edukative, shëndetësore dhe familjare edhe në këtë javë nuk pati përjashtim.

Emisioni i së shtunës pati larmishmëri temash dhe deklaratash, por, duke ditur se jemi në kohë pandemie, boshti i emisionit iu dedikua pothuajse i tëri kësaj teme.

Në pjesën e parë të emisionit ishin të ftuar Anisa Bllaca, e cila e fitoi luftën katërjavore me koronavirusin, dhe e nëna e saj, Vildane Bllaca.

Gjatë kësaj interviste u përshkruan problemet shëndetësore që i pati Anisa nga dy të ftuarat, ashtu që vuajtjet nuk dolën të ishin të vogla si për Anisën ashtu edhe për nënën e saj, Vildanen.

Fillimisht zonja Vildanje tregon se virusi nuk ishte aq agresiv në trupin e vajzës së saj, mirëpo pas pesë ditësh gjithçka ndryshoi derisa Anisa mbeti në shtrat.

“Pas ditës së pestë është bërë e palëvizshme, aq sa as për nevoja të veta nuk ka mundur të shkojë në banjë”, shprehet nëna e Anisës, në emisionin Familja jonë.

Se virusi nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se e ka munduar shumë e tregon edhe vetë e infektuara, Anisa, për të cilën problemet gati njëmujore shëndetësore ishin shumë të vështira. Ajo fillimisht virusin e mori si një gjendje gripale dhe nuk e mendoi se ishte e infektuar, sepse i ndodhte shpesh që të ishte me grip.  18-vjeçarja shpegon se më vonë e kuptoi se diçka nuk ishte në rregull me gjendjen e saj, kur e pa se ishte më e sëmurë se zakonisht.

Të dyja, si Anisa ashtu edhe Vildanja, shprehin mirënjohje për stafin mjekësor pasi, sipas tyre, përkujdesja ndaj 18-vjecares ishte shumë e madhe.

Vildanja deklaroi se në fillim nuk besonte në ekzistencën e virusit, por tashmë kur veçse janë provuar me pandeminë, nuk ka dyshim nëse ka ose jo virus.

Në pjesën e dytë të emisionit u diskutua për rolin e infermierëve gjatë pandemisë, ku ishin të ftuara dy mysafire. Mamia Magbule Elezi dhe kryeinfermierja Arta Sejdiu folën për përvojat e tyre gjatë kësaj kohe. Të dyja e pranojnë se ishte i vështirë ballafaqimi me pandeminë, mirëpo ia dolën. Sipas Elezit, stafi shëndetësor nuk ishte shumë i madh në numër, por bashkëpunimi në mes të personelit dha frytet e veta.

Ndërkaq rubrika “Erina&Drini me mamin” u përkujdes të na shpalosë një mënyrë mjaft kreative për ndezjen e zjarrit dhe mosdëmtimin e ambientit me këtë veprim. Në kuadër të kësaj pjese ishin edhe fëmijët, Lumi dhe Gjini, të cilët sajuan një llampë elektrike dhe një makinë për krijimin e flluskave.

Pjesa e fundit e emisionit u rezervua për gatimin në studio. Në këndin e kuzhinës ishte Krenare Imeraj, nënë dhe pjesë e grupit “Këshilla dhe receta për bebe dhe fëmijë”, ku përgatiti një supë me perime.

Për më gjerësisht, shiheni linkun më poshtë. /Familja jone

Arkiva

Kategoritë