Enj, Tet 22, 2020
Banner Top
Banner Top
Paraliza e fytyrës

Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

Muskujt e fytyrës inervohen nga nervi përkatës i trurit, i cili quhet nervi facial, përkatësisht nervi i fytyrës. Ky nerv dërgon impulse elektrike për më shumë se 20 muskuj të fytyrës të cilët janë përgjegjës për lëvizjen e mimikës. Rrudhja e ballit, mbyllja e kapakëve të syve, fryrja e faqeve, tërheqja e buzëve janë disa nga lëvizjet të cilat mundësohen nga veprimi i mirëfilltë i këtij nervi.


Kur funksioni i nervit dëmtohet dhe pacienti nuk është në gjendje ta lëvizë gjysmën e fytyrës, paraqitet medoemos në spital me frikën se mos është duke pësuar ndonjë infarkt apo gjakderdhje në tru?! Brenga e pacientit qetësohet nëse pas ekzaminimit të kujdesshëm neurologjik konstatojmë se funksioni i nervit është humbur në tërë atë gjysmë të fytyrës. Kjo nënkupton që vendi i dëmtimit të nervit nuk është në tru, por prej pikës kur ai lëshon trurin dhe fillon udhëtimin në drejtim të muskujve të fytyrës.

Vendi më i shpeshtë i dëmtimit të nervit facial është brenda ashtit temporal (tëmblor), pra ashtit prapa veshit. Brenda këtij ashti, nervi udhëton nëpër një kanal të ngushtë. Atëherë kur ndodh pezmatimi i nervit (infektiv apo joinfektiv), vjen deri te ënjtja e mbështjellësit të tij. Meqenëse kanali është i ngushtë, ënjtja medoemos do ta ndrydh nervin për së brendshmi dhe kështu do të shkaktohet humbja e funksionit të tij.

Prandaj, PACIENTI DUHET QETËSUAR DHE SHPJEGUAR SE KJO GJENDJE NUK ËSHTË E NDËRLIDHUR ME NDONJË SËMUNDJE TË TRURIT dhe se me terapinë adekuate, me gjasë shumë të madhe do të vijë deri te përmirësimi i gjendjes. Sa më shpejt të fillojmë trajtimin me barna përkatëse antipezmatuese, suksesi i terapisë do të jetë më i lartë dhe estetika e fytyrës do të kthehet në të vjetrën!

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë