Mër, Mar 20, 2024
Banner Top
Banner Top
Nga sot zgjerohet harta e zonave të gjelbra në Shqipëri

Nga dita e sotme, 4 maj, zgjerohet harta e zonave të gjelbra në Shqipëri – të vlerësuara si më pak të rrezikuara nga koronavirusi – të cilat përfitojnë më tepër lehtësira.

“Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë dhe Selenicë”, kishte njoftuar Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu të enjten e kaluar.

Ndërsa prej javës së kaluar janë vlerësuar si zona të gjelbra: Qarku Dibër, Qarku Gjirokastër, zona e përbashkët e bashkive Pogradec, Përrenjas dhe Librazhd, zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq dhe Bashkia Divjakë.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor, si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona.

Sipas këtyre rregullave, pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se me një person.

Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune të cilët nuk kufizohen nga këto orare. Rregullat përfshijnë edhe automjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer.

Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania./ A2 CNN

Youtube

Arkiva

Kategoritë