Hën, Mar 8, 2021
Banner Top
Banner Top
Ndotja e ajrit shkakton edhe verbërinë

Ndotja e ajrit, mund të turbullojë shikimin tuaj në jetën e mëvonshme. Kjo sipas një studimi të gjerë, që gjeti një lidhje midis ndotjes së ajrit me grimca të imëta dhe degjenerimit makular, një sëmundje e syve e lidhur me moshën, e cila mund të çojë në një verbëri të pakthyeshme.

Këto gjetje, japin alarmin se ndotja e ajrit mund të jetë e dëmshme për shëndetin tonë. Ndotja e ajrit është një problem global, së cilës nuk mund t’i shpëtojnë dot shumica e njerëzve. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vlerëson se mbi 90 për qind e popullsisë së botës jeton në vende, ku nivelet e cilësisë së ajrit tejkalojnë kufijtë e caktuar për ndotësit që paraqesin rreziqe shëndetësore.

Më shqetësuese janë grimcat e imëta, të quajtura PM 2.5. Këto grimca mikroskopike me madhësi më të vogël se 2.5 mikrometra, mund të depërtojnë thellë në mushkëri, dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar inflamacion rreth trupit.

Ekspozimi i përsëritur ndaj ndotësve të tillë, mund të irritojë sytë dhe fytin e njerëzve, si dhe të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje. Për më tepër, ndotja e ajrit të ambientit përbën 43 për qind të vdekjeve nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, dhe më shumë se një të katërtën e të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive, sëmundjet e zemrës apo goditja në  tru. Në këtë studim, fokusi ishte tek degjenerimi makular i lidhur me moshën  (AMD), një gjendje ku shikimi i një personi përkeqësohet me moshën, duke çuar në shtimin e humbjes së shikimit, dhe çuar potencialisht edhe në verbëri të plotë.

Kjo sëmundje është e lidhur me enët e gjakut në pjesën e prapme të syrit, dhe blloqet e vogla të yndyrës dhe proteinave që ndërtohen tek makula, pjesa e syrit në qendër të retinës. Gjenetika dhe të qenit duhanpirës, janë ndër faktorët kryesorë të rrezikut për këtë gjendje. Në analizën e tyre, studiuesit morën të dhëna nga mijëra njerëz të regjistruar në Biobank në Britaninë e Madhe, dhe vlerësuan nivelet vjetore të ndotjes së ajrit përreth shtëpive të tyrem duke përdorur grupe të tjera të dhënash.

Nga viti 2006 e tutje, gati 116.000 njerëzve iu kërkua të raportonin nëse mjeku i diagnostikonte ata me degjenerim makular. Nga ai grup më i madh, 52.062 njerëz u vizituan tek okulisti ku iu mat trashësia e retinës, si një tregues i çdo ndryshimi në shëndetin e syve të tyre.Ajo që zbuloi studimi, është se njerëzit që ishin të ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes së ajrit me grimca të imta, kishin norma më të larta të vetë-raportuara të AMD.

Ekspozimi ndaj ndotësve të tjerë, përfshirë dioksidin e azotit, por jo grimcave të trasha,  ishte gjithashtu i shoqëruar me ndryshime në trashësinë e retinës. Studiuesit sugjerojnë se ndotja e ajrit, mund të ndikojë në sy përmes inflamacionit dhe stresit oksidativ, dy mekanizma mbrojtës me të cilat trupi lufton kundër materialit të huaj, duke u përpjekur të detoksifikojë speciet kimike. Nuk është hera e parë që ndotja e ajrit lidhet me sëmundjen e syve.

Një studim i vitit 2019, që shqyrton nivelin global të sëmundjes së glaukomës, zbuloi se nivelet më të larta mesatare të grimcave të imëta, shoqëroheshin me më shumë raste të glaukomës, gjë që prek nervin optik. “Lajmi i mirë është se ndotja e ajrit të ambientit, mund të kontrollohet, dhe të parandalohen sëmundjet që shkakton ajo”- shkruan Filip Landrigan, mjek i shëndetit publik dhe epidemiolog në Shkollën e Mjekësisë në Mount Sinai, Nju Jork.

Ne pamë sa shpejt u pastruan qiejt në muajt e parë të pandemisë së koronavirusit , për shkak të ndaljes së trafikun ajror, dhe makinave në rrugë, pasi njerëzit po qëndronin në shtëpi. Megjithëse ndryshime të tilla drastike nuk ishin përfundimisht të qëndrueshme, lehtësimi momental i ndotjes së ajrit, na ka treguar se çfarë është e mundur.

“Qytetet dhe vendet do të duhet të kalojnë te burimet e energjisë jo-ndotëse, të inkurajojnë udhëtimet aktive, të forcojnë rrjetet e tyre të transportit, dhe të ri-dizenjojnë proceset industriale për të eleminuar mbeturinat”- shkruan Landrigan.

Arkiva

Kategoritë