Mar, Tet 20, 2020
Banner Top
Banner Top
Ndëshkimi trupor, akoma prezent në shumë familje

Shkruar nga Visar Sadiku – Psikolog

Pavarësisht përpjekjeve të zëshme lidhur me ndëshkimin trupor të fëmijëve, kjo formë disiplinimi akoma zë vend në repertorin e përditshëm të përvojave të shumë fëmijëve nga komuniteti ku ne jetojmë, andaj për të kuptuar më tepër këtë çështje, le të fillojmë të hulumtojmë për faktorët të cilat e mbajnë këtë sjellje akoma të aplikuar nga ana e shumë prindërve.  

Në të gjitha kulturat e botës, ka shumë çështje të cilat lidhen drejtë për së drejti me prindërimin e një fëmije dhe në të shumtën e rasteve të ashtuquajturat “çështje të prindërimit” janë lloje strategjish të cilat aplikohen nga ana e prindërve për të nxjerrur në piedestal kualitetet që fëmijët e tyre i posedojnë apo potencialisht të intervenojnë në realizimin e një sjellje të dëshiruar dhe brenda normave sociale.

Ky lloj përkushtimi i aplikimit të një mënyre prindërimi mund të demonstrohet në mënyra të ndryshme në gjitha kulturat e botës, por synimi i tyre mbetet në sigurimin e një rruge që fëmija të arrijë të përvetësojë strategjitë të cilat mund të drejtojnë fëmijën drejtë prosperimit, nxitjen e shpresave për të ardhmen nga një rrugë rigjide disiplinimi dhe në vazhdimin e mënyrës së përdorimit të autoritetit të prindit me qëllim të ruajtjes së figurës dhe rrolit të tij (Reese et al., 2016).

Mënyra e përzgjedhjes së një strategjie të caktuar për disiplinimin e një fëmije ka karakter kulture, vetëdijesimi, niveli të edukimit dhe rrethi social, dhe po të njëjtët faktorë vlejnë për të gjitha subkulturat, pavarësisht besimit (religjionit), kombësisë apo prapavijë socio-ekonimike (Rodrigues, M, Ch., 2017). Mund të arrihet në përfundim që niveli i arsimimit të prindërve duket se është me impakt në përzgjedhjen e mënyrave të përshtatshme si mënyra të zgjidhjes së suksesshme të një problemi që mund të lidhet me sjelljen apo jetën emocionale të fëmijës(Otten, R et al., 2015). Një ndërlidhje e lartë mes edukimit dhe zgjedhjes së mënyrave alternative përveç ndëshkimit fizik tregon që prindërimi adekuat është në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur lidhjet emocionale të fëmijëve drejtuar nga prindërit (atashimin) si dhe në ruajtjen e kohezionit familjar (lidhjet emocionale dhe uniteti brenda familjes) që mund të dëmtohen në mënyrë drastike kur ndëshkimi trupor përdoret si mënyrë disiplinimi.

Pavarësisht kombësisë, religjionit apo prapavijë socio-ekonomike, në të gjitha komunitetet mund të kuptohet se përdorimi i ndëshkimit trupor ka dhënë rezultate të cilat nuk kanë qenë të mirëpritura, socialisht të përshtatshme apo pozitivisht të qëndrueshme nga ana e fëmijëve/adoleshentëve (Leray, E., 2015), atëherë si është e mundur që ndëshkimi trupor ka arritur të sfidojë kohën, “urbanizimin” e kulturave dhe njëkohësisht mbetet një mënyrë e aplikuar disiplinimi?

Aktualisht ndëshkimi trupor pason pasi prindërit kanë dështuar të aplikojnë një metodë pro aktive e cila ka të bëjë me parandalimin e manifestimi të një sjellje problematike (Lansford, E, J., 2011), dhe identifikimi i vonshëm i një sjellje të keq përshtatur mund të krijojë një situatë e cila mund të ndikojë që prindërit të reagojnë me stres dhe mungesë të shpresës për të ndryshuar manifestimin e këtij reagimi. Duke u ndier të tillë, prindërit keqinterpretojnë nocionin e kohës, duke e interpretuar kohën si periudhë e shpenzuar jo drejtë në aspekt të disiplinës së fëmijëve, dhe duke provuar ta kompensojnë këtë aset të humbur përmes aplikimit të një metode e cila ka rezultate të “shpejta dhe efikase” disiplinimi e që është ndëshkimi trupor (Oburu, O. et al., 2011).

Duke e perceptuar si funksionale metodën e aplikuar nga gjeneratat paraprake, si dhe duke provuar t’i shmangen stigmës e cila mund të burojë si rezultat i dështimit të realizimit të një imazhi të prindit të suksesshëm, prindërit vendosin të shpalosin autoritetin e tyre përmes sjelljes agresive me qëllim të nxitjes së frikës për të korrigjuar një sjellje të padëshiruara, duke mos e marr parasysh faktin se ata suksesshëm janë duke e aplikuar një model sjellje e cila lehtësisht mund të bëhet sjellje e rutinës së një fëmije ndaj fëmijëve të tjerë brenda ciklit komunitar, apo ndaj fëmijëve të tyre në gjeneratat e së ardhmes.

Të paktën tre faktorë kryesorë duhet të merren parasysh se përse ndëshkimi trupor nuk i ka dhënë asnjëherë rezultatet e pritura në disiplinimin e fëmijëve:

Faktori i parë: Mosha gjatë kohës kur ndëshkimi trupor fillon të aplikohet është nga mosha dy vjeç, deri në adoleshencën e hershme. Duke pasur parasysh se fëmijët aplikojnë sjellje të ndryshme me qëllim që të realizojnë motivet e tyre që në moshë të hershme, ky repertor sjelljesh varion nga sjelljet brenda normave sociale (të cilat dështojnë të përforcohen) deri tek sjelljet e keq përshtatura (pas së cilave pason ndëshkimi trupor), ata edhe pas kësaj ndërhyrje nga ana e prindërve, mbesin vazhdimisht të ekspozuar ndaj ndëshkimit trupor pasi që ky lloj disiplinimi nuk u ofron të kuptojnë “mësimin” e dhënë nga përvojat paraprake.

Faktori i dytë: Frekuenca se sa shpesh ndëshkimi fizik është aplikuar si mënyrë e disiplinimit dhe se sa herë është përsëritur pasi që fëmijët/adoleshentët kanë dështuar në aplikimin e një sjellje të përshtatur ka të bëjë me faktin e zgjerimit të pragut të tolerancës, pasi që një fëmijë është shpeshherë i ndëshkuar në aspektin trupor, ky ndëshkim bëhet pjesë e rutinës së fëmijëse dhe fëmija jo domosdoshmërisht e bën ndërlidhjen e ndëshkimit trupor si reagim I prindit ndaj sjellje së tij, por si pjesë e rutinës së një manifestimit të “zakonshëm” të autoritetit prindëror, dhe si për pasojë, ai/ajo nuk është në gjendje t’a shmang atë përmes ndryshimit të sjelljes.

Faktori i tretë: Metodat e aplikuara si mënyrë e ndëshkimit fizik kanë të bëjnë me hulumtimin e mënyrave të cilat do të mundohen të stimulojnë frikën, duke e përshkallëzuar ndëshkimin trupor me parametrit e “rëndësisë” së sjelljes apo problemit të ndërlidhur me sjelljen e fëmijës. Ky proces vetëm se e stimulon fëmijën në gjetjen e mënyrave ku ndëshkimi trupor mund të jetë i ndryshuar karahas sjelljes së fëmijës, por jo në kërkim të alternativave për ta ndalur atë, pasi që alternativa të tilla mund të mos jenë aplikuar në fuqizimin e një sjellje adekuate (Straus, Ma & Steëart JH, 1999).

Duke e pasur parasysh faktorët e lartë përmendur, është relativisht e lehtë të konkludohet se ndëshkimi trupor nuk i kontribuon mirëqenies dhe korrektimit të një sjellje të fëmijës, dhe aktualisht në botë janë 53 shtete të cilat e kanë ndaluar ligjërisht aplikimin e ndëshkimit trupor.

Ndëshkimi trupor është problematikë në rritje për qështjen e të drejtave njerëzore. Konventa e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në vitin 1989 është kërkuar që të aplikohet nga mbledhja gjenerale e kombeve të bashkuara. Me këtë rast të gjitha shtetet në përjashtim dy nga ato (Somalia dhe Shtetet e Bashkuara), janë të obliguara t’i përmbahen respektimit të kësaj konvente. Kjo iniciativë e ratifikojë konventën për njohjen e të drejtave të fëmijëve, duke i obliguar 192 shtete të aplikojnë mbrotjen e të drejtave të fëmijëve si dhe të administrojnë forma mbrojtjeje duke e hulumtuar, parandaluar dhe ndëshkuar aplikimin e ndëshkimit trupor si mjet discipline për fëmijët (Crick, Nr. & Dodge, KA., 1994).

Mbështetur në të gjitha të dhënat e lartëshkruara, ofrohen argumente të cilat dënojnë ndëshkimin trupor si akt disiplinimi, por përveç si mënyrë jo-efikase dhe me potencial të lartë për të shkaktuar dëme emocionale tek fëmija, ndëshkimi trupor mund të jetë ndër indikatorët e problemeve lidhur me shkathtësitë e fëmijës për t’u përshtatur (Gershoff, E. T., 2006). Një shembull i thjeshtë për të kuptuar këtë çështje është fakti që fëmijët ndaj të cilëve është aplikuar ndëshkimi trupor, janë në rrezik më të lartë për të aplikuar probleme me karakter eksternalizues (të manifestuara jashtë), e që janë problemet me agresivitetin apo delinkuencën (Gershoff, E. T., 2006), ndërkaq problemet me karakter internalizues (të manifestuara nga brenda) ankthi dhe depresioni po ashtu mund të jenë pjesë e një repertori të vështirësive në jetën e tyre emocionale. Përdorimi i lehtësi ndëshkimit trupor mund të kalojë në forma të avancuara të ndëshkimit trupor apo të abuzimit fizik (Pinheiro, P.S., 2008) si rezultat i mos funksionimit të kësaj metode disiplinimi të fëmijëve/adoleshentëve.

Ndëshkimi trupor edhe pse i ndaluar nga konventa ndërkombëtare për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, ai vazhdon të përdoret si metodë disipline. Pavarësisht faktit që kjo metodë nuk jep rezultate të dobishme, përkundrazi aplikimi i ndëshkimi trupor rrezikon në përforcimin e sjelljeve akoma më të agravuara dhe emocioneve të cilat nuk janë adekuate që një fëmijë t’i përjetojë, kjo metodë akoma mbetet në mesin e strategjive të cilat janë të keq përshtatura nga prindërit fillimisht e më pas e bartin atë tek fëmijët të cilët më vonë do të mund ta aplikojnë këtë metodë tek gjeneratat e ardhshme, sepse thjeshtë, ata modeluan atë që u është servuar për vite të tëra.

Njëmendësia e komunitetit lidhur me efektet e ndëshkimit trupor dhe ngritja e gjithëmbarshme e vetëdijes së komunitetit ndaj ndëshkimit trupor është e vetmja mënyrë që të abstenohet nga ky ritual i cili nuk sjell dobi, andaj i dashur lexues, le të fillojmë nga ju t’u mësojmë fëmijëve se përmes dashurisë dhe kujdesit mund të ndryshojmë jo vetëm sjelljen, por mund të ndikojmë që fëmijët të bëhen individë me vlerë dhe rëndësi në të ardhmen e tyre, duke e fuqizuar vetëbesimin, vetëvlerësimin dhe ndjenjën e përkatësisë, të cilat ushqehen përmes dashurisë, respektit dhe krijimit të mundësive ku kuptohet se gabimet mund të ndodhin, por atomund të jenë mundësi të reja për këshillim, zhvillim të gjykimit të drejtë dhe jo një moment ku ndëshkimit duhet aplikuar.

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë