Sht, Shk 27, 2021
Banner Top
Banner Top
Mbi 100 persona në izolim në Viti, pritet të testohen gjatë ditëve në vijim

Mbrëmë në fshatin Stubëll të Vitisë janë konfirmuar katër raste të reja me COVID-19. Të katër rastet janë raste kontakti të personit që doli pozitiv para tri ditësh nga ky fshat. Sot nga kjo komunë nuk do të testohet askush, por tashmë janë në izolim mbi 100 persona, testimi i të cilëve do të bëhet gjatë ditëve në vijim nëse shfaqin simptoma, raporton Express.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekëisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli i ka thënë Gazetës Express se gjendja e të infektuarve nga kjo komunë është e mirë, me përjashtim të një të moshuare e cila e ka gjendjen më të rëndë.

“Rastet që u konfirmuan mbrëmë janë raste kontakti të personit që doli pozitiv para tri ditësh. Të infektuarit janë të moshës nga mosha 35-vjeçare e deri në moshën 77 vjeçare. Gjendja e të infektuarve është e mirë, me përjashtim të një të moshuare e cila e ka gjendjen pak më të rëndë’, ka thënë Kadolli.

Ajo ka treguar se sot nuk do të testohet asnjë person nga kjo komunë, por thotë se tashmë i kanë nën mbikqyrje mbi 100 persona të cilët janë në izolim. Testimi i tyre do të bëhet gjatë ditëve në vijim, nëse shfaqin simptoma të COVID-19.

“Sot sa u informova nuk do të testohet askush nga Vitia, por ne tashmë i kemi nën mbikqyrje mbi 100 persona të cilët janë në vetëizolim. Nëse shfaqin ndonjë simptomë do të testohen, derisa nëse kanë përkeqësim të gjendjes ne i përcjellim menjëherë për në Prishtinë, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se janë konfirmuar 26 raste të reja me COVID-19 në Kosovë.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Kamenica, Istogu, Peja, Vitia, Ferizaj, Prizreni, Shtimja dhe Zveçani.

“Sot më 22 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 172 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej njëzet e gjashtë (26) raste”, ka njoftuar Instituti.

Me këto raste, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 630. Në mesin e tyre, 138 pacientë janë shëruar, ndërsa 19 kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express

Arkiva

Kategoritë