Mar, Mar 26, 2024
Banner Top
Banner Top
Mbërrin 8 mijë tonë mjete mbrojtëse në Shqipëri

Kanë mbërritur në Shqipëri edhe 8 tonë mjete te mbrojtjes personale për stafet mjekësore, të financuara nga qeveria shqiptare në kuadër të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID19.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në doganën e Tiranës në momentin e mbërritjes së ngarkesës me mjetet e mbrojtjes personale, deklaroi se është përparësi mbrojtja e bluzave të bardha.

“Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Kjo sasi e re e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 ton, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë.

“Janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat e reja, Manastirliu tha se nuk duhet të ulet vigjilenca e qytetarëve pasi lufta nuk ka mbaruar dhe duhet vazhduar me respektimin e masave të vendosura nga qeveria.

“Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, apeloi Manastirliu, raporton Tch.

Youtube

Arkiva

Kategoritë