Enj, Tet 22, 2020
Banner Top
Banner Top
Lumenjtë e mbushur me antibiotik!

Një studim i ri ka zbuluar nivele rrezikshmërisht të larta antibiotikësh në disa prej lumenjve më të mëdhenj të botës. Në atë që rezulton të jetë studimi i parë në histori i këtij lloji, studiuesit testuan kontaminimin e lumenjve për 14 antibiotikët më të përdorur në rang botëror.

Nga 91 lumenj të testuar në total, që kalojnë në 6 kontinente dhe 72 vende, 65% e ujërave të tyre përmbanin nivele tejet të larta antibiotikësh.

Ekspozimi i lartë ndaj antibiotikëve përmes ndotjes së lumenjve mund të çojë në një rezistencë ndaj tyre te njerëzit, një rezultat ky potencialisht vdekjeprurës.

Përqëndrimi më i madh i antibiotikëve është zbuluar në Bangladesh, ku nivelet e “Metronidazole” ishin gati 300 herë më të larta sesa niveli zyrtar i sigurisë.

Kenia, Gana, Pakistani dhe Nigeria kishin gjithashtu nivele të larta përqëndrimi, me problematikën që prek më së shumti Afrikën dhe Azinë ndër të gjitha kontinentet. Ndërkohë, përqëndrimi më i lartë i antibiotikëve në Europë është zbuluar në lumenjtë e Austrisë.

Studimi gjeti gjithashtu se zonat e paqëndrueshme politikisht ishin ato që kishin përqëndrimet më të larta të antibiotikëve, me nivele të pasigurta që u zbuluan përgjatë kufirit Izrael-Palestinë.

“Deri më tani, shumica e punës monitoruese mjedisore për antibiotikët është bërë në Europë, Amerikën e Veriut dhe Kinë”, thotë doktor John Wilkinson, nga Departamenti i Mjedisit dhe Gjeografisë në Universitetin e York-ut. “Shpesh vetëm sa i përket një ‘grushti’ antibiotikësh të njohur. Por, ne dimë shumë pak mbi shkallën e këtij problemi në rang global”, shtoi ai.

Disa prej lumenjve më të mëdhenj të testuar janë Sena, Tamizi, Tiberi, Chao Phraya, Danubi, Mekongu dhe Tigri.

Ndërsa ne i nxjerrim antibiotikët nga trupat tanë, substancat që ato përmbajnë mbeten ende aktive. Për këtë shkak, studimi paralajmëron se tonelata antibiotikësh po hidhen në mjedisin që na rrethon. Veç kësaj, antibiotikët arrijnë te njerëzit edhe përmes produkteve shtazore që konsumojmë, si mishi apo bulmeti.

Antibiotikët po përdoren si shtojca në ushqimin për gjënë e gjallë anembanë botës. Burimi parësor i ekspozimit të panevojshëm ndaj antibiotikëve janë vet barnat mjekësore, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECPCD).

Mbiekspozimi ndaj këtyre medikamenteve provokon një përgjigje të baktereve që ato luftojnë. Bakteret mund të evoluojnë për të mbrojtur veten ndaj antibiotikëve që ne përdorim për t’i luftuar ato.

Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se, përafërsisht 700 mijë njerëz vdesin në botë çdo vit nga infeksionet që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Ky numër po pëson rritje alarmante. OBSH-ja parashikon ndërkohë se, deri në vitin 2050, 10 milionë vdekje të parandalueshme do të mund të vijnë si pasojë e kësaj, duke tejkaluar kancerin si shkakun kryesor të vdekjeve./Familja Jonë

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë