Mër, Mar 27, 2024
Banner Top
Banner Top
Lul Raka tregon se kush do të vaksinohet së pari me vaksinën kundër koronavirusit

Vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të furnizohen me vaksinën kundër COVID-19 kryesisht përmes programit ndërkombëtar të njohur si COVAX, i cili udhëhiqet nga Organizata Botërore Shëndetësore (OBSH), Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin).

Ky program synon të bashkojë fondet e shteteve të pasura dhe organizatave joqeveritare, me qëllim të zhvillimit të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, si dhe ta shpërndajnë në të gjithë botën.

Përmes këtij programi, Kosova planifikon të sigurojë 1.2 milion vaksina. Maqedonia Veriore veç ka bërë porosinë prej 800 mijë vaksina, Serbia ka siguruar 1.8 milion doza, dhe Bosnjë e Hercegovina ka porositur mbi 1.2 milion vaksina. Për Shqipërinë ende nuk ka të dhëna, por edhe ky shtet synon të sigurojë vaksinën përmes programit COVAX.

Sipas Faik Hotit nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova është futur në listën e shteteve të cilave kjo aleancë do t’u sigurojë nga 20 për qind të vaksinave kundër COVID-19 falas, apo 360 mijë doza. Pjesa tjetër pritet të blihet nga buxheti i shtetit, ku Kosova ka paraqitur shprehjen e interesit në këtë aleancë përmes marrëveshjeve që aleanca kryen me prodhuesit e vaksinave.

Kosova do të përfitojë falas 360,000 vaksina kundër koronavirusit

“Sipas planit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për vaksinim të popullatës kundër COVID-19, parashihet që të vaksinohen rreth 1 milion e 200 mijë banorë”, tha Hoti.

“Nuk do të jetë problem fare buxheti, pasi që edhe me Ligjin për parandalimin e përhapjes së COVID-19 parashihet që shteti t’i sigurojë mjetet në mënyrë që të blihen vaksinat për grupet që parashihet që do të jenë për vaksinim”, shtoi ai.

Ndryshe, një analizë përfundimtare e fazës së tretë të vaksinës ndaj koronavirusit nga kompania amerikane Pfizer tregon se ajo ishte 95% efektive në parandalimin e infeksionit, madje edhe te të moshuarit.

Kompania tha se do të aplikojë për autorizimin urgjent në SHBA brenda disa ditëve.

Analiza përfundimtare vjen vetëm një javë pasi rezultatet fillestare treguan se vaksina ishte më shumë se 90% efektive. Edhe kompania Moderna.Inc publikoi të hënën të dhënat paraprake për vaksinën e saj, duke treguar efektivitet të ngjashëm.

Provat e suksesshme të dy vaksinave kundër koronavirusit kanë rritur shpresat për t’i dhënë fund pandemisë që ka vrarë më shumë se 1.3 milion njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar kërdi në ekonomi dhe jetën e përditshme.

Mikrobiologu Lul Raka i tha Radios Evropa e Lirë se sapo të arrijë Kosova të marrë vaksinat kundër sëmundjes së COVID-19, çdo qytetarë që ka mundësi vaksinimi, duhet ta bëjë një gjë të tillë.

Megjithëkëtë, ai përmend grupet me prioritet që do duhej të vaksinoheshin të parët.

“Ata që duhet të vaksinohen më vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, sapo vaksina të jetë e disponueshme janë punëtorët shëndetësorë, punëtorët e shërbimeve esenciale, personat me sëmundje shoqëruese dhe personat mbi moshën 65 vjeç”, tha Raka.

Youtube

Arkiva

Kategoritë