Mar, Mar 26, 2024
Banner Top
Banner Top
Lul Raka “PYETJE DHE PËRGJIGJE PËR COVID-19”

Çka janë viruset?
Viruset janë mikroorganizmat më të vegjël, të cilët mund të jetojnë vetëm përbrenda trupit të strehuesit (njeriu, kafsha, por edhe tek mikrobet tjera).

A janë koronaviruset viruse të reja?
Jo, nuk janë viruse të reja sepse i njohim që prej vitit 1965 si shkaktarë të shpeshtë të flamës së zakonshme. Por i ri është nënlloji i gjetur në Kinë vitin e kaluar.

Çka d.m.th. COVID-19?
Është shkurtesë prej tri fjalëve: CO (Coronavirus), VI (Viral), D (Disease) = COVID-19, që dmth. sëmundje virale me koronavirus. Numri 19 tregon vitin kur është raportuar për herë të parë në Kinë (31.12.2019).

A është COVID-19 virus?
Jo, COVID-19 është sëmundje, kurse virusi që e shkakton këtë sëmundje quhet SARS-CoV 2.

Çka do të thotë fjala SARS?
SARS do të thotë Sindroma Akute Respiratore e Rëndë. Kjo është sëmundje, që u shkaktua nga familja e koronaviruseve në vitin 2002.

Pse virusi i ri quhet SARS-CoV2?
Quhet SARS CoV2, sepse i përngjan shumë virusit që shkaktoi SARS-in. Pasi që është i ri dhe nuk i ka mbushur ende 3 muaj, u quajt SARS CoV 2, për t’u dalluar nga vëllau i tij që shkaktoi SARS-in.
Kush është rezervoar i koronaviruseve?
Zakonisht rezervoar të virusit janë kafshët (lakuriqat, macet, devet, pangolina etj).

A ka pasur raste të SARS dhe MERS në Kosovë?
Asnjë rast nuk ka pasur asokohe në Kosovë me këta viruse.

A ka vdekshmëri të lartë kjo sëmundje?
Aktualisht në botë vdekshmëria është 4.4%. Por, në këtë numër nuk janë llogaritur të sëmurët e lehtë dhe ata asimptomatikë, të cilët nuk shkojnë te mjeku dhe nuk regjistrohen në statistika. Andaj, numri real është më i vogël sesa raportohet.

Koronavirusi po duket si virusi më infektiv në botë. A është e vërtetë?
Jo, viruset më infektive në botë janë viruset e fruthit dhe parotitit (shytat). Një i sëmurë me fruth infekton mesatarisht 18 persona, kurse një me parotit infekton 10 persona. Këto janë më infektivë sesa koronaviruset sepse qëndrojnë në ajër dhe barten përmes ajrit.

Çfarë ngjashmërie dhe çfarë dallimi kanë gripi dhe koronavirusi?
Të dy viruset prekin rrugët e frymëmarrjes dhe rruga e përhapjes është e njejtë me spërkla, kontakt të afërt dhe prekje të gjësendeve përreth.
Dallimet janë se gripi ka vdekshmëri më të ulët, përhapet më shpejt se COVID-19; inkubacioni i gripit dhe koha e dyfishimit të rasteve është më e shkurtër; gripi ka vaksinë dhe terapi antivirale në dispozicion.
Fëmijët dhe shtatzënat janë kategori që preken shumë më shpesh te gripi sesa te koronavirusi. Koronavirusi mesatarisht infekton më shumë njerëz sesa gripi.

Sa është periudha e inkubacionit për COVID-19?
Periudhe e inkubacionit është koha prej momentit kur futet virusi në trup e deri te shfaqja e shenjave dhe simptomave të para të sëmundjes. Kjo periudhë është prej 1 deri 14 ditë.

Sa kohë mbijeton virusi në sipërfaqe?
Virusi mund të jetojë deri 4 orë në hapësirat me bakër, 24 orë në kuti letre dhe 2-3 ditë në plastikë dhe metal. Përqëndrimi dhe infekcioziteti i tij vjen duke u ulur ndjeshëm me kalimin e kohës.

Cilat janë simptomat e COVID-19?
Simptomat më të zakonshme janë ethet (mbi 37.5°C), kolla e thatë dhe frymëzënia. Disa pacientë mund të kenë edhe dhimbje fyti, rrjedhje hundësh ose barkqitje.

A është kjo sëmundje e rrezikshme?
Shumica e njerëzve (rreth 80%) shërohen nga sëmundja pa pasur nevojë për trajtim të veçantë.

Kush është më i rrezikuari për tu sëmurë dhe vdekur nga kjo sëmundje?
Njerëzit e moshuar dhe ata me probleme kronike shëndetësore siç janë: tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, diabeti, kanceri mund të zhvillojnë sëmundje serioze. Në Itali mosha mestare e të vdekurve është 80 vjet.

Sa janë të rrezikuar punëtorët shëndetësorë?
Punëtorët shëndetësorë janë kategoria më e rrezikuar për t’u prekur nga koronavirusi. Në vende te ndryshme të botës 10-20% e të prekurve i përket punëtorëve shëndetësorë. Në Itali, 81% e mjekëve që kanë vdekur nga koronavirusi ishin mbi 65 vjeç.

A i prek fëmijët kjo sëmundje?
Fatmirësisht shumë pak. Në Evropë përqindja e fëmijëve të prekur të moshës 1-10 vjeç është vetëm 1%.
A janë gratë shtatzëna në rrezik më të lartë nga COVID-19?
Nuk ka dëshmi se janë më të rrezikuara sesa popullata e përgjithshme.

A duhet të testohen gratë shtatzëna për COVID-19?
Nëse shtatzëna ka shenja e simptoma të sëmundjes, atëherë ka përparësi në testim.

A mund të kalojë COVID-19 nga një grua tek fëmija i saj?
Ende nuk ka dëshmi për këtë gjë. Deri sot, virusi nuk është gjetur në lëngun amnional as në qumështin e gjirit. Rastet e rralla tek të posalindurit nuk janë vërtetuar se janë bartur nga nëna.

Nëse shtatzëna është me COVID-19 a duhet të lind me sekcio?
Kjo duhet të vendoset nga gjinekologu. OBSH propozon lindje normale kurse ECDC lindje me prerje cezariane.

A munden gratë me COVID-19 të ushqejnë fëmijën me gji?
Po.

Si përhapet COVID-19?
Përhapet nga një person në tjetrin përmes stërpikëzave (spërklat) nga hunda ose goja kur i sëmuri ose infektuari me COVID-19 i nxjerr jashtë me kollitje, teshtimë apo të folur. Përhapet edhe me kontakt direkt, si p.sh. përshëndetja me shtrëngim duarsh, me ç’rast e prekim fytyrën pa i pastruar duart.
Disa njerëz infektohen duke prekur objekte ose sipërfaqe ku ka virus (tavolinë, gjësende) dhe më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën.

A përhapet nga dikush që nuk ka fare shenja e simptoma të sëmundjes?
Po. Madje këta janë shumë të rrezikshëm në përhapjen e sëmundjes. Nuk mbrohen as ata e as tjerët që ju qëndrojnë pranë sepse nuk e dijnë. Sipas të dhënave të fundit personat pa simptoma mund të jenë 25% të njerëzve të infektuar.

A përhapet me rrugë ajrore COVID-19?
Jo, virusi nuk qëndron në ajër sepse ka peshë të rëndë dhe bashkë me spërkla bjen në tokë ose hapësirën përreth të sëmurit.

A mund të bartet COVID-19 përmes mushkonjave?
Jo.

A mund të përhapet virusi në bazen?
Nuk ka raste të raportuara të përhapjes në bazen. Dezinfektantët e bazenit, siç është klori, e shkatërrojnë virusin.
A bartet sëmundja me marëdhënie seksuale?
Jo. Deri tani nuk ka dëshmi se sëmundja bartet me këtë rrugë.

A mund të bartet virusi përmes parave?
Kjo është rrugë shumë e rrallë e përhapjes. Nëse i pastroni duart me rregull do ta shmangni këtë rrezik të infektimit. Prandaj pas prekjes së parave pastroni duart me ujë e sapun.

A mund ta prekem nga COVID-19 nga macja apo qeni im?
Nuk ka të dhëna se mund të prekeni nga macja apo qeni juaj. Një rast në Hong Kong ende është diskutabil.

A është e sigurt të marrim një pako me postë?
Rreziku është minimal sepse deri sa të mbërrijë pakoja virusi shkatërrohet ose humb infekciozitetin. Nëse i pastroni duart me sapun mos u frikoni sepse e keni larguar virusin.

A mundet dikush që del nga karantina për COVID-19 të përhapë sëmundjen tek të tjerët?
Personave në karantinë u bëhet testi ditën e fundit të qëndrimit në karantinë- d.m.th. ditën e 14-të. Nëse testi është negativ, ai person nuk e përhap sëmundjen.

A mundet dikush që ka pasur COVID-19 dhe është shëruar ta përhapë sëmundjen te të tjerët?
JO.

Nëse mbaj një distancë prej mbi 2 metra nga një person a do të më prekë virusi nëse ai është i sëmurë?
Jo, nuk të prek. Prandaj, ne insistojmë ta mbani distancën sociale ose fizike , d.m.th. mos t’ju afroni askujt që është më afër se 2 metra.

Sa njerëz mesatarisht mund t’i infektojë një i sëmurë me COVID-19?
Mesatarisht i infekton 1-4 persona.

Sa mund të zgjasë faza e shërimit të një pacienti?
Kjo varet nga pasqyra e sëmundjes. Te rastet e lehta, prej momentit të shfaqjes së simptomave, deri te shërimi shkon deri në dy javë, kurse te rastet e rënda shërimi mund të zgjasë prej tri deri në gjashtë javë.

A mund preket një person dy herë nga kjo sëmundje?
Jo. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të gabimeve gjatë testimeve laboratorike. Nëse pacienti lëshohet nga spitali me dy teste të njëpasnjëshme negative nuk ndodh të sëmuret prapë.

Çka d.m.th. kontakti i afërt?
Personi që ka qëndruar afër të sëmurit me COVID-19. Ky mund të jetë anëtari i familjes, personi që ka qëndruar me të sëmurin në distancë më pak se 2 metra dhe në kohëzgjatje mbi 15 minuta, punëtori shendetësor që nuk ka pasur pajisje personale mbrojtëse gjatë ekzaminimit dhe bashkëudhëtari në veturë, tren apo aeroplan që ka qëndruar në afërsi të të sëmurit.

Përveç rrugëve të frymëmarrjes a ndodhet virusi në gjak apo tjetërkund në trup?
Po, virusi është gjetur edhe në gjak, urinë dhe jashtëqitje.

Si të mbrohem prej sëmundjes?
• Mbani higjienën e duarve me ujë e sapun apo gel alkoolik;
• kollituni ose teshtini në faculetë dhe hudheni atë në mbeturina. Nëse s’keni faculetë përdorni mëngën e krahut tuaj.
• mos rrini afër njerëzve të sëmurë.

Pse është e rëndësishme të qëndrojnë njerëzit të izoluar nëpër shtëpi?
Qëndrimi në shtëpi e ndërpret zinxhirin e përhapjes nga njeriu në njeri, e parandalon përhapjen e mëtejme, redukton intensitetin e epidemisë dhe e ulë numrin e rasteve të reja. Kjo njëkohësisht, i mundëson sistemit shëndetësor të përgatitet për fluksin eventual të rasteve të reja dhe të furnizohet me pajisje përkatëse.

Si të sillem gjatë kohës së izolimit dhe nëse duhet të dal për furnizime?
• Dilni jashtë vetëm për të blerë bukë, ushqim, barna dhe për të shkuar në punë (nëse jeni duke punuar në shërbimet publike vitale);
• Nëse keni dalur jashtë, mbani distancën prej së paku 2 metra nga çdokush që ju afrohet;
• Pastroni duart me ujë e sapun posa të vini në shtëpi;
• Mos shkoni në vizita te familjarët e as te miqtë.

A duhet ta vendosi maskën kirurgjike nëse dal në rrugë?
Jo. Maskat kirurgjike duhet të përdoren nga ata që kanë nevojë më së shumti- punëtorët shëndetsor. Virusi nuk qëndron në ajër. Nëse keni dalur në rrugë mbani distancën së paku 2 metra nga çdokush që ju afrohet dhe kjo është masa më e sigurtë.
Për shkak të rritjes së rasteve asimptomatike të infektimit tashmë shumë shtete këshillojnë përdorimin e mbulesave të fytyrës. Këto mbulesa për fytyrë mund të përgatiten nga materiale dhe rroba të ndryshme dhe të lira në shtëpi. Këto mbulesa mund të përdoren si masa vullnetare shtesë të shëndetit publik. Mbulesat e fytyrës NUK JANË maska kirurgjike.

A janë antibiotikët efektivë në parandalimin ose trajtimin e COVID-19?
Jo, antibiotikët nuk kanë kurrëfarë veprimi as në shërim e as në parandalim të sëmundjes.

A ka ndonjë ilaç specifik për të parandaluar ose trajtuar koronavirusin?
Deri më tani, nuk ka asnjë ilaç specifik të rekomanduar për të parandaluar ose shëruar koronavirusin.
Terapia jepet për të lehtësuar dhe trajtuar simptomat. Disa trajtime specifike po përdoren dhe fjalën përfundimtare ende nuk e kanë dhënë hulumtimet shkencore. Disa kanë pasur efekt, por në raste tjera më shumë kanë bërë dëm sesa dobi.

Kur do ta kemi një vaksinë për COVID-19?
Deri te përdorimi praktik i vaksinës shkon zakonisht 12-18 muaj.

A do të ulen rastet nëse rriten temperaturat?
Ky është virus i ri dhe nuk e dijmë se si do të sillet në kohë të rritjes së temperaturave. Por, e dijmë se është virus me mbështjellës dhe është i ndejshëm në ambientin e jashtëm, përfshirë edhe rrezet UV.
Shumë viruse respiratore që fillojnë në vjeshtën e vonshme, zakonisht gjatë pranverës dhe verës e zbehin potencialin e tyre infektiv.

A krijon imunitet ky virus?
Pasi që ky është një virus i ri, askush në botë nuk është imun ndaj tij dhe ai mund ta prek këdo. Por, nga sëmundjet tjera pandemike kemi mësuar se për të folur për imunitetin, duhet të kalojnë së paku nja 6 muaj për ta hulumtuar përgjigjen imunologjike të popullatës së prekur. Nga përvoja kemi mësuar se dikush që e ka kaluar sëmundjen, nuk preket përsëri ( së paku për një apo dy vite pasuese). Por, deri atëherë shpresojmë se ta kemi një vaksinë që do të na mbrojë të gjithëve.

A shkatërrohet koronavirusi me hudër apo raki?
Jo. Hudra edhe pse mund të ketë veprim antimikrobik, nuk e shëron koronavirsin. Njësoj, as pirja e alkoolit nuk e shkatërron virusin.

A më mbron vaksina e gripit kundër koronavirusit të ri?
Jo.

Nëse e shpërlaj rregullisht hundën me ujë me kripë, a ndihmon kjo në parandalimin e infeksionit me koronavirusi?
Jo. Nuk ka asnjë dëshmi se shpërlarja e rregullt e hundës me kripë mbron nga infeksioni me koronavirus.

Youtube

Arkiva

Kategoritë