Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
Kryeministri Hoti: Respektoni masat në shkolla, mos të ndërpremë prapë mësimin

Kryeministri, Avdullah Hoti ka njoftuar se viti i ri shkollor nis të hënën, teksa ka bërë apel për kujdes ndaj fëmijëve.

Ai thotë që duhet të punojmë së bashku, me disiplinë maksimale në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të sigurt, të kenë mundësi të marrin dijen në bankat shkollore, dhe të mos detyrohemi të ndërpremë prapë mësimin.

Njoftimi i plotë:

Të dashur nxënës, prindër dhe arsimtarë,

Të hënën nis viti i ri shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe drejtoritë për arsim të komunave, në konsultim me SBASHK-un dhe prindërit, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja kanë qenë në mbështetje të plotë ndaj kërkesave të Ministrit Likaj dhe komunave lidhur me përgatitjet e nevojshme, duke dhënë udhëzime të detajuara për organizimin e mësimit. Ministri Likaj ka përgjegjësi të madhe në këtë kohë, dhe të gjithë i kemi qëndruar në mbështetje të plotë, si me buxhet ashtu edhe me mbështetje institucionale.

Në dy javën e fundit janë verifikuar ambientet shkollore për plotësimin e kushteve për mësim sipas udhëzimeve të IKSHPK-së. Janë zhvilluar edhe protokollet e sjelljes në rast të paraqitjes së rasteve të infektimeve në shkolla.

Tash është në dorën tonë si prindër që të kujdesemi që fëmijët tanë të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e IKSHPK-së, duke filluar nga shfrytëzimi i transportit për në shkollë, hyrja në shkollë, qëndrimi në klasë, mbajtja e distancës, mbajtja e maskës, pastërtia e duarve dhe udhëzimet e tjera.

Rreziku nga infektimi mbetet shumë i lartë, pavarësisht rënies së shifrave në ditët e fundit. Na duhet mobilizim i plotë i të gjithëve për të ruajtur jetën e atyre që më së shumti janë në rrezik, sidomos tani kur po shkojmë drejt vjeshtës me gjendje të rënduar edhe për shkak të gripit sezonal.

Të punojmë së bashkë, me disiplinë maksimale në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të sigurt, të kenë mundësi të marrin dijen në bankat shkollore, dhe të mos detyrohemi të ndërpremë prapë mësimin.

Youtube

Arkiva

Kategoritë