Enj, Tet 22, 2020
Banner Top
Banner Top
KOKËDHEMBJET NË SHTATZËNI

Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu Neurolog

Shtatzënia paraqet një periudhë delikate në jetën e çdo gruaje dhe simptomat që përjetohen gjatë saj mund të jenë brengosëse dhe shpesh ta vënë në alarm nënën e ardhshme. Kokëdhembja është simptomë e shpeshtë e njerëzimit, me arsye të ndryshme, që prej atyre të lehta deri te ato serioze dhe jetëkërcënuese. Shpesh ndodh që në shtatzëni, gratë të cilat nuk vuajnë nga to, të kenë numër dhe shpeshtësi të shtuar të dhembjeve.

Duhet të kihet parasysh se shumica e dhembjeve të kokës, në përgjithësi dhe në veçanti në shtatzëni, nuk do të thotë se janë të natyrës serioze. Pjesa më e madhe e dhembjeve të kokës në shtatzëni paraqiten në muajt e parë të saj dhe nga fundi – para lindjes. Gjatë tremujorit të parë ndryshimet hormonale që ndikojnë direkt apo indirekt në shtimin e vëllimit të ujit në organizëm paraqesin arsyen kryesore të dhembjes. Stresi, rrethana e re jetësore, çrregullimi i ritmit të gjumit, ulja e nivelit të sheqerit në gjak, dehidrimi janë faktorët kontribuues në kokëdhembjet.

Me afrimin e lindjes, pesha e shtatzënës shkon duke u shtuar – me të shtohet edhe më tepër vëllimi i ujit në trup. Në disa shtatzëna paraqitet hipertensioni e cila gjendje mund të kulminojë në eklampsi. Këta faktorë në rrjedhën e tyre mund të shkaktojnë edhe dhembje të kokës. Të gjithë faktorët e lartpërmendur i hapin rrugë kokëdhembjes e cila mund të menaxhohet me barna. Paracetamoli është analgjetiku më i sigurt dhe më i lehtë që mund t’i përshkruhet një shtatzëne. Në rastet kur nuk ndihmon, përdorimi i kujdesshëm i analgjetikëve të tjerë, si ibuprofeni, meloksikami, indometacina po ashtu rekomandohet. Kortikosteroidet shpesh kanë efekt zbutës në kokëdhembje, në rastet kur ato janë kronike dhe të përditshme.

Shumë nëna vuajnë nga migrena dhe kokëdhembja tip tensioni – të cilat janë kokëdhembje primare, kronike, të cilat kanë ekzistuar edhe para shtatzënisë. Lajmi i mirë është që dhembjet migrenoze pushojnë apo zbuten zakonisht gjatë shtatzënisë. Kurse ato tip tensioni, nën ndikimin e shkaktarëve të mësipërm, mund të përkeqësohen. Duhet shmangur çokollatën, alkoolin, jogurtin, djathin e bardhë, arrat, lajthitë, kërpudhat, mishin e konservuar nga përdorimi. Masazhi, kompresat e ftohta në kokë, relaksimi, joga, terapia fizikale, ecja, mjedisi i këndshëm dhe relaksues janë masat që duhet të ndërmerren.

Sidoqoftë, në raste të rralla, duhet pasur parasysh se kokëdhembja mund të jetë manifestim i gjendjeve më serioze. Nëse ka mundim dhe vjellje, dobësim të të parit, çrregullim të vetëdijes, çrregullim të orientimit dhe sjelljes, mpirje apo paraliza të gjymtyrëve që zgjasin disa ditë, atëherë pa humbur kohë duhet të adresohet emergjenca apo neurologu më i afërt për vlerësim klinik dhe përjashtim të faktorëve të rrezikut. /Familja Jonë

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë