Mër, Mar 27, 2024
Banner Top
Banner Top
Jeta pas izolimit e vështirë për personat që kanë humbur miqtë, vendet e punës, shkëputjet nga rrjetet sociale

Altina Marmullaku

Pasi të lehtësohen masat kufizuese është paralajmëruar nga ekspertët për një fenomen që quhet ankthi për jetën pas izolimit, pasi që duhet të përshtatemi me jetën jashtë.

Përballja me këtë do të jetë mjaft e vështirë, pasi nga ekspertët është konsideruar si një fenomen emergjent.

Në një intervistë për Familja Jonë, psikologe  Venera Limani Kryeziu thotë se ankthi veç se është në rritje të sipërme çdo ditë, ndërsa kësaj gjendje i ka paraprirë izolimi dhe duke qenë se ankthi është frikë nga e panjohura, frikë nga diçka që nuk ka ndodhur por mund të ndodh në kontekstin negativ, pandemia ka shfaqur pasiguri në përballjen me një të panjohur siç është virusi COVID-19.   

  1. Pasi të lehtësohen masat kufizuese, ekspertët kanë paralajmëruar për një fenomen që quhet ankthi për jetën pas izolimit, pasi duhet të përshtatemi me jetën jashtë, sipas jush si duhet të kuptohet kjo?

Ankthi veçse është në rritje të sipërme çdo ditë, edhe si pasojë e pandemisë. Kësaj gjendje i ka paraprirë izolimi dhe duke qenë se ankthi është frikë nga e panjohura, frikë nga diçka që nuk ka ndodhur por mund të ndodh në kontekstin negativ,  pandemia ka shfaqur pasiguri në përballjen me një të panjohur siç është virusi covid. Përveç frikës së infektimit nga virusi shtohen ndryshimet e rëndësishme në jetën tonë të përditshme pasi lëvizjet tona janë të kufizuara, të ballafaquar me realitete të reja të punuarit nga shtëpia, papunësinë e përkohshme apo përhershëme, shkollimin e fëmijëve nga  shtëpia dhe mungesën e kontaktit fizik me anëtarët e tjerë të familjes, miqtë dhe kolegët. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në zhvillimin e një situate të re ankthi apo rritjen e ankthit në nivelet ekzistuese.  

Izolimi normalisht se ka ndikuar edhe tek ne si në çdo vend tjetër të botes, mirëpo te ne, në përmasa të tjera,  të shtimit të frikes së përballimit të kësaj gjendje si në mënyrë financiare e po ashtu edhe mendore. Humbja e vendeve të punës,  frika se nuk do të marrin trajtimin mjekësor për shkak të numrit të madhë të rasteve dhe kapaciteteve të sistemit shëndetësor,  kanë rritur dukshëm  ankthin në popullatë. Stresi i të jetuarit me covid rrit mundësinë e ndikimit negativ në shëndetin mendor, sidomos ndaj atyre personave që kane pasur eksperienca traumatike në të kaluarën, ku efektet e shëndetit mendor do të mund të ishin afatgjatë.

 Nisur nga kjo ne jemi popullatë  e pasluftës, me trauma dhe situata të tjera të vështira të përjetuara, dhe izolimi do të mund të riaktivizonte një trauma siç është mobilizimi i mbijetesës, gjetja e mjeteve financiare për të siguruar ushqim barna etj.

Krahasuar me disa vende në botë apo Evropë, ne aktaulisht nuk kemi masa të rrepta kufizuese apo izolimi, përderisa mund të takohemi me miq, të pijmë kafe në bar –restaurante të bëjmë shoping etj. Mirëpo një grup i caktuar janë dëmtuar më shumë e ata janë fëmijët sepse në përgjithësi shkollat kanë funksionuar më shumë online se sa në mënyrë fizike.

Fëmijët janë bërë konfuz me edukim online, ku si pasojë ka pasur rënie të motivit për mësim, dhe pamjaftueshmëri e të kuptuarit të njësive mësimore. Përveç kësaj ka ndikuar edhe në socializimin e tyre, sidomos në grupmoshat e adoleshentëve, kur ata e kanë shumë të rëndësishme pjesën sociale, moshatarët apo grupin, dhe mungesa e shkollës i ka bërë të ndihen të mërzitur dhe shpeshherë në ulje të disponimit.

Izolimi apo  karantina që janë të nevojshme për të minimizuar përhapjen virale mund të kenë një ndikim negativ psikologjik, të tilla si shkaktimi i simptomave të stresit post-traumatik, depresioni dhe pagjumësia.

Ndikimi i mundshëm afatgjatë të Covid-19, mund të bazohët në njohuritë ekzistuese nga pandemitë e mëparshme  si psh. Përhapja globale e SARS-it në 2003 u shoqërua me një rritje prej 30% të vetëvrasjeve të personave mbi moshën 65 vjeç, rritje te ankthit dhe depresionit.  Për sa i përket çështjeve të shëndetit mendor të lidhura me pandeminë Covid-19 ka shumë të ngjarë të zgjasin në një periudhë më të gjatë, ku psikologët besojnë se çrregullimi obsesiv-kompulsiv mund të jetë një nga kandidatët kryesor.

Ndryshimet të cilat mund të shfaqën janë:

• Frikë dhe shqetësim për shëndetin tuaj dhe të të dashurve tuaj, gjendjen tuaj financiare ose humbjen e vendit te punës.

• Ndryshimet në gjumë ose mënyrë të ushqyerit.

• Vështirësi në përqendrim.

• Përkeqësimi i problemeve kronike shëndetësore.

• Përdorimi i shtuar i duhanit, dhe / ose alkoolit

  • Shumë njerëz u përballen me humbjen e vendeve të punës, sa mendoni se ka ndikuar papunësia në shëndetin mendor të njerëzve?

Papunësia në përgjithësi  ka një ndikim negativ dhe çon në dëmtimin e shëndetit mendor, tek popullata e cila është e aftë për punë dhe nuk mund të ketë një vend pune.

Të papunët afatgjatë kanë të paktën rrezik të dyfishtë të sëmundjeve mendore, veçanërisht depresionin dhe çrregullimet e ankthit, krahasuar me personat e punësuar.

Sipas hulumtimeve të ndryshme, humbja e vendit të punës dhe gjendja financiare  janë shoqëruar me një rënie afatgjatë të shëndetit mendor.

Ndërsa kur papunësisë i shtohet një shkas tjetër, si humbja e vendeve të punës si pasojë e pandemisë covid, prek funksionimin e tërë të individit, mirëqeniën dhe shëndetin mendor. Këtu personi ndihet i paaftë, i pasigurtë, se çfarë do të ndodh tutje, kështu duke zhvilluar ose rritur nivelet ekzistuese të ankthit apo depresionit.

Fatkeqsisht në vendin tonë papunsia është e madhe, dhe humbja e një vendi të punes, duke mos pasur mbështetje nga institucionet  shtetërore, dëmtojnë rëndë individin, mirëqeniën dhe shëndetin mendor.

  • Cilat janë këshillat e juaja për njerëzit për përballimin e kësaj situate që nga ekspertët botërore është quajtuar një fenomen emergjent?

Rritja e frikës dhe ankthi për një sëmundje të re, dhe çfarë mund të ndodhë tutje, mund të shkaktojë emocione të forta tek të rriturit dhe fëmijët.

• Kujdesuni për vetën dhe familjen tuaj.

• Kujdesi për miqtë, te afermë, duke mbajtur kontakte me telefonata apo video ku do të ndiheni më pak të vetmuar ose të izoluar.

 Mos dëgjoni , shikoni ose lexoni vazhdimisht lajme të përseritura rreth pandemisë sepse kjo është shumë shqetësuese, fokusoheni vëmendjën tuaj në ngjarje pozitive, grupe soçiale virtuale etj.

Aplikoni teknika relaksuese, si teknika e frymëmarrjes fokusoheni në përçeptimin e ndjesisë trupore, dhe siguroni vetën se nuk jeni në rrezik dhe se asgjë e keqe nuk po ndodh, në këtë mënyrë duke i larguar mendimet negative të çilat mund të vijnë si pasojë e disponimit të ulur apo ankthit.

  • Sipas jush, cilat janë arsyet që ankthi për jetën pas izolimit mund të shfaqet tek shumë persona pas përfundimit të pandemisë COVID-19?

Izolimi apo  karantina që janë të nevojshme për të minimizuar përhapjen virale mund të kenë një ndikim negativ psikologjik, duke dëmtuar funksionimin dhe mirëqeniën e individit.  Jeta pas izolimit, do të ishte e vështirë për personat të cilët kanë humbur miqtë, vende të punës, shkëputje nga rrjeti social, dhe rikthimi dhe gjetja e mënyrave për të funksionuar si me parë do të jetë stresuese për ta. Prandaj personat të cilët kanë humbur të dashurit e tyre si pasojë e covid, kanë humbur vendet e punës, do të duhej të mbështetëshin nga institucionet përkatëse dhe të ndihmohen të adaptohen në gjetjen e mundësive të reja. /Familjajonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë