Hën, Jan 25, 2021
Banner Top
Banner Top
Hulumtim: Shkalla e vdekshmërisë nga pandemia COVID-19 dhe gripi sezonal

Që nga shfaqja e pandemisë COVID-19, gjatë gjithë kohës kemi pasur krahasime të simptomave të gripit sezonal dhe atyre të koronavirusit.

Por përderisa koronavirusi merr çdo ditë e më shumë jetë në të gjithë botën, si qëndron niveli me vdekjet nga gripi i zakonshëm?

Të dhënat tregojnë se gripi prek miliona njerëz çdo vit dhe vret mijëra sosh. Mirëpo simptomat e COVID-19 janë më të rrezikshme veçanarisht tek personat më sëmundje shoqëruese.  

Gjatë vitit 2019, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal. Nga numri i të prekurve, sipas këtij Instituti, rreth 3,000 janë cilësuar si infeksione respiratore akute, kurse 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut.

Hulumtimet nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDA), tregojnë se koronavirusi është shumë herë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal në SHBA. Ndërsa rreth 0,1% e njerëzve me grip vdesin, shkalla globale e vdekjeve nga koronavirusit është rreth 4.7%, bazuar në numrin aktual të rasteve dhe vdekjeve.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, janë rreth 1 miliard raste të gripit në të gjithë botën dhe 9.3 milion deri në 45 milion raste në SHBA në vit. Përshembull, vitin e kaluar kishte 291,000 deri 646,000 vdekje në të gjithë botën për shkak të gripit, dhe 12,000 deri 61,000 vdekje në SHBA në vit nga gripi sezonal.

Po koronavirusi?

Të infektuar nga koronavirusi deri tani janë më shumë  se 28 milionë raste në botë dhe kanë humbur jetën mbi 911 mijë persona.

Gjatë vitit 2018-2019, vetëm në SHBA 35 milion njerëz kanë qenë të prekur nga gripi ndërsa kanë vdekur rreth 34 mijë të tjerë. Gjatë këtij sezoni, rreth një në çdo 1.000 njerëz me grip ndërroi jetë.

Shkalla e vdekjes së gripit ndryshon çdo vit. Virusi i gripit gjithashtu ndryshon formë shpejt, kështu që njerëzit mund të infektohen nga lloje të ndryshme, kjo është arsyeja pse vaksina nuk është 100% efektive dhe vaksinat e reja zhvillohen çdo vit.

Sa keqësohet gjendja nëse dikush infektohet me dy viruset?

Sipas Michael Matthay, profesor i mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, të qenit i infektuar me dy viruset në të njëjtën kohë “do të rriste rrezikun për efekte afatgjate në cilindo sistem organesh”.

Megjithatë, është ende herët të dihet saktësisht se sa keqësohet gjendja nëse dikush infektohet me dy viruset. Kjo sepse COVID-19 nuk kishte kapur botën në kohën kur ishte duke qarkulluar ende gripi sezonal i shkuar.

“Dy viruset bashkë definitivisht do të shkaktonin më shumë lëndime në mushkëri dhe më shumë dështime të frymëmarrjes”, ka thënë ai. “Dështimi i organeve të frymëmarrjes është kërcënim për jetën”.

A janë të ngjashme të dy viruset?

Mjekët thonë se të dy viruset janë të ngjashme, dhe të dytë sjellin kollë, ethe, dhimbje fyti e trupi dhe rrjedhje të hundëve. Por për dallim nga gripi, COVID-19 mund të shkaktojë edhe humbje të shijes.

Përpos kësaj, gjysma e bartjes së koronavirusit ndodh te njerëzit që s’kanë fare simptoma. Mënyra më e mirë për të kuptuar nëse dikush ka koronavirusin apo gripin është testimi.

A janë duke u llogaritur vdekjet nga COVID-19 në mënyrën e duhur?

Ekspertët e Epidemiologjisë paralajmërojnë se jo të gjitha vdekjet nga koronavirusi po llogariten siç duhet. Dhe kjo është diçka që të gjitha vendet e kanë të përbashkët. Polemika në Francë përqendrohet në rastet që nuk përfshihen në statistika, bëhet fjalë për të gjitha vdekjet jashtë spitaleve.

Gjithashtu në Spanjë, sipas zyrtarëve shëndetësorë nga Komunitetet Autonome, njerëzit që vdesin në rezidenca ose shtëpi, të cilët nuk i janë nënshtruar testit, nuk po llogariten.

Mirëpo, ngjashëm po ndodh pothuajse në mbarë botën, njerëzit me simptoma mjaft të buta që po trajtohen në shtëpi pa kërkuar trajtime mjekësore, nuk po llogariten në shifrat zyrtare.

Shkalla e vdekjes së koronavirusit ndryshon pasi konfirmohen më shumë raste. Shumë ekspertë të shëndetit besojnë se shkalla e vdekshmërisë mund të bjerë, në rast se do të testohen edhe rastet më të buta dhe asimptomatike. Kjo është edhe arsyeja pse për momentin është e vështirë të bëhen krahasime të sakta./Familja Jonë

Arkiva

Kategoritë