Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Njerëz nga Kosova: Heronjtë e epokës së re

Nuk mendova për ty që ecën rrugës si kapadai, me gjoks përpara e krahë të hapur, asesi! Por për atë kokën, atë mendjen e ndritur…atë që pasionin e humanizmit e ka në vete edhe pas 40 vitesh, për atë me mantel të bardhë, me maskë e mbrojtëse sysh në fytyrë . Për atë që çdo ditë vjen nga disa herë në vizita, por jo vetëm. Edhe sot erdhi, edhe pse vikend, edhe pse nuk ishte kujdestar! Erdhi edhe ditën kur isha në gjendje mjaft të rëndë në 2020 në mbrëmje, më ekzaminoi me qetësi dhe më tha: “Doktor, prej teje më nevojitet pozitiviteti, për tjerat, gajlet i baj unë”.

Mos harroni, hirësia e tij, prof Saliu, ende nuk e ka kaluar Covidin! Dhe mua, ashtu si një njeri në hall, e të shndërruar në fosil, në shtratin afër dritarës së repartit B, më ktheu në jetë, më solli në dritë, që unë prapë të frymoj e të shprehem, për ambientin që ai e ka krijuar, e që për mua u bë shtëpi!

Janë të gjithë të njëjtë në afërsi të tij, se s’mund të reflektojnë ndryshe. Plot përgjegjësi e jetë! Dr. Blerta Haraqia e dr. Bahrie Halili, dr. Arjeta, dr. Edmondi, dr Arta e doktorë të tjerë, në edukim specialistik e vullnetarë, që janë në përcjellje duke mbledhur, këshilluar e raportuar për gjendjen e secilit. Koordinim i hatashëm! Pa harruar dr. Njomza Geca e dr.Albina Bicaku dr. Greta Lila, për fjalët e gatishmërinë e tyre!

Stafi infermieror, (Feta, Nurija, Feridi, Merigona, Egzoni, Valentina, Saranda, Qefseri, Kadriona, Fikrija, Violeta) sa të palodhshëm aq të dedikuar, të thejnë çdo tabu që ke krijuar ndër vite nga llafekafet, por ndoshta arsyeja është se ishin pjesë e Repartit B!

Në përgjithësi, Klinika e Infektivës nuk duket si Klinika Shwarzwald, por gjithesesi që kanë zemër, shpirt e mendje më të ndritshme se cilado klinikë në botë! Profesor Saliun e kam njohur edhe si profesor e edhe më për së afërmi si administrator-dekan të Fakultetit të Mjekësisë, e më pas si anëtar këshilli mjaft gjatë sa isha ne UP-së. E vlerësoja si njeri me identitet, pozitiv dhe konkret, persona të tillë që janë shumë të rrallë në atë rreth. Si klinicist, nuk e kisha njohur, e kjo është pjesa më e mirë e tij, përkushtimi ndaj secilit për ta dëgjuar, i gatshëm për ndryshime dhe i vendosur për të kthyer gjëra për së mbari!

Rastisa të privilegjohem bashkë me cimerin tim, bacën Sokol, të marrim dozën e parë të plazmës, të ordinuar në republikë, gjë që tek unë pati kthesë të shpejtë të situatës klinike, kjo e menaxhuar nga profesor Sali Ahmeti! Por, më besoni, nuk është plazma, nuk është terapia, është shpirti pozitiv e karakteri i prof.Sali Ahmetit dhe njerëzve rreth tij, pa dallim e për secilin, mua, Milotin, bacën Sokol, Hysenin e të gjithë të tjerët! Unë ende jam në Repartin B të Klinikës Infektive, por sot, për dallim nga dita e parë, ndihem PLOT JETË!

Enis Ahmedi, 13 shkurt 2021

Youtube

Arkiva

Kategoritë