Hën, Jan 18, 2021
Banner Top
Banner Top
Gjilani i kthehet normalitetit, ndërsa 27 persona me koronavirus janë në vet-izolim

Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan tha se në këtë qytet ka filluar të normalizohet jeta, ndërsa po ashtu u bë e ditur se 27 raste me coronavirus janë duke qëndruar në vet-izolim.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, tha se janë në koordinim të plotë për zhvillimet e fundit dhe njëkohësisht kujdesin për rastet që janë ende në vetizolim për parandalimin e COVID-19.

“Përkundër vendimit të qeverisë për masat lehtësuese në fazën e tretë, ne sot kemi diskutuar për gjendjen e 27 rasteve të cilat edhe më tutje në bazë të rekomandimeve profesionale, janë duke qëndruar në vetizolim, deri në shërimin e plotë nga COVID-19. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe me simptoma të lehta. Këto dy-tri ditë do të bëhet përsëri ritestimi i tyre dhe shpresojmë shumë që rezultatet të jenë negative. Drejtoria e Shëndetësisë është në kontakte të vazhdueshme dhe po trajtojnë secilën kërkesë që vjen nga këto familje, duke i falënderuar për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Ismajli.

Sipas njoftimit për media, në Gjilan ka filluar të normalizohet jeta, ku pjesa më e madhe e bizneseve që lejohen të punojnë në bazë të këtij vendimi, kanë filluar punën dhe aktivitetin e tyre, që po përcillet nga puna në terren e inspektorëve komunalë, në bazë të rekomandimit të masave të parapara të veprimit.

“Bizneset e Gjilanit janë duke respektuar masat lehtësuese dhe konform rekomandimeve profesionale. Ka shumë paqartësi në vendimin e mbrëmshëm, por zyrtarisht do t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë për të vepruar në bazë të planit që ka Komuna e Gjilanit për këtë fazë”, ka njoftuar Ismajli.

Në njoftimin për çerdhet që me vendimin e qeverisë mund të fillojnë sot, Gjilani nuk do ta bëjë këtë, sepse është vlerësim i profesionistëve, që ato duhet të dezinfektohen dhe të sigurohet plotësisht që gjithçka është gati për t’i hapur ato.

“Sot dhe nesër do ta bëjmë dezinfektimin  e çerdheve dhe vlerësimi profesional se a është gjithçka në rregull për të filluar puna, në mënyrë që fëmijët e Gjilanit të jenë të sigurt në institucionet parashkollore”, ka njoftuar ai./tg

Arkiva

Kategoritë