Sht, Jan 16, 2021
Banner Top
Banner Top
Gastronomët kërkojnë nga deputetët ta votojnë Pakon për Rimëkëmbje

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Postimi i plotë:
Pas kalimit të sotëm të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, kuptojmë që sipas amandamenteve të reja që janë propozuar, përveç ndryshimit të politikave fiskale, do të ketë edhe mbështetje financiare për bizneset e prekura nga pandemia dhe punëtorët e mbetur të papunë.

Sipas të dhënave nga Agjensioni Statistikor i Kosovës (ASK), është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Të ardhurat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.
Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, 88% e bizneseve deri në tetor të këtij viti, kanë pësuar humbje të thellë, dhe 12% prej tyre janë në rentabilitet. Nga këto të fundit, vetëm 2% e bizneseve do të mund të mbijetojnë nëse nuk marrin ndihmë nga Qeveria, ndërsa 10% prej tyre do të falimentojnë.

Sipas këtij hulumtimi, nga ndikimi i pandemisë dhe masave të qeverisë në tregun e punës, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit, apo rreth 10,000 punëtorë të larguar nga puna.
Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk do të mund t’i mbijetojnë kësaj situate, dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna, që i bie të kontribojë në 5.5% rritje të shkallës së papunësisë në Kosovë apo 9,950 punëtorë të tjerë.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përveç që ju bën thirrje për votimin e Projektligjit këtë të premte, po ashtu kërkon që sektori i gastronomisë duhet të prioritizohet nga sektorët e tjerë në kuptim të mbështetjes financiare (duke marrë parasysh gjendjen alarmante të pasqyruar nga të dhënat e cekura më lartë).

Andaj, domosdoshmërisht mjetet që pritet të destinohen për sektorin privat nga ky Projektligj në vlerë prej 200 milion euro, duhet të ndahen në proporcion me dëmet që janë shkaktuar nga pandemia dhe masat e qeverisë në secilën industri përkatëse, e jo njëjtë për të gjithë sektorët!

Arkiva

Kategoritë