Pre, Mar 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Fëmijët me nevoja të veçanta pritet të mbështeten me 800 tabletë

UNICEF në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane pritet që të ndajnë 800 tabletë për fëmijët me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave nga UNICEF, rreth 345 mijë fëmijë në nivelet parashkollore, fillore dhe të mesme nuk e kanë vijuar mësimin në shkolla gjatë bllokimit, duke rezultuar kështu në një numër të fëmijëve që nuk mund ta ndjekin shkollimin për shkak të mungesës së teknologjive ndihmëse.

Sipas të dhënave të vitit 2020, vetëm 53% e familjeve në Kosovë posedojnë kompjuter ose tablet transmeton Kallxo.com.

“Si reagim ndaj kësaj situate, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar midis Ambasadës Britanike dhe Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për një seri ndërhyrjesh të integruara dhe gjithëpërfshirëse shëndetësore dhe arsimore, UNICEF-i do t’i dhurojë 800 tabletë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do ta mbështesë emërimin e 35 asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të UNICEF, në fushën e arsimit, projekti do të ofrojë mbështetje në aspektin e sigurisë së shkollave duke monitoruar respektimin e rekomandimeve për parandalim të COVID-19 në shkolla dhe duke ofruar mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta ose ata që janë në rrezik të braktisjes së shkollës.

“Një fokus i veçantë i projektit do të jetë tek gratë dhe vajzat e reja. Megjithëse fëmijët nuk janë grupi më i prekur i kësaj pandemie pasi që kryesisht janë kursyer nga efektet direkte klinike të COVID-19, kriza pandemike ka një efekt të madh në jetën dhe mirëqenien e tyre”, thuhet në njoftim.

Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë ka theksuar se është rritur hendeku i të mësuarit midis fëmijëve nga familjet më të pasura që ishin në gjendje të vazhdonin mësimin në distancë përmes mjeteve digjitale dhe atyre nga familjet më të varfra që filluan të mbesin prapa në mësime.

“Përkundër veprimeve të shpejta me mësimin në distancë, provat sugjerojnë se humbja në të nxënit për Kosovën do të jetë e pashmangshme dhe e konsiderueshme me c’rast një pjesë e madhe e nxënësve do të bien në analfabetizëm funksional dhe do të ketë rritje të niveleve të braktisjes së shkollës. Në këtë aspekt, shqetësim specifik përbëjnë fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë Sahin.

Ndërsa, Ambasadori Britanik në Kosovë Nicholas Abbott ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Personave me nevoja të veçanta janë bërë bashkë për t’i rritur përpjekjet për të punuar drejt arsimit gjithëpërfshirës përmes programit të financuar nga MB për ta përmirësuar jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për ta ndryshuar jetën e atyre që janë ndër më të rrezikuarit në botë, për t’i dhënë fund diskriminimit dhe stigmës kundër personave me aftësi të kufizuara dhe për të punuar drejt një bote më të përparuar, duke mos lënë askënd anash”, ka thënë Abbott.

Ndërsa, Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani theksoi që përfshirja e personave me nevoja të veçanta duhet të jetë pjesë e agjendës për t’u siguruar që ata të gëzojnë të drejta të plota dhe të bëhen anëtarë të barabartë dhe produktiv të shoqërisë sonë.

“Ne kemi dështuar të ofrojmë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara dhe ky është momenti i fundit që fjalët t’i kthejmë në veprime”, ka thënë Osmani.

I hartuar në konsultim me zyrtarët përkatës në ministrinë e shëndetësisë dhe arsimit, projekti prej 2.5 milion dollarësh me titull Kthimi në Normalen (e Re) në Kosovë: Forcimi i qëndrueshmërisë përmes një kthimi të sigurt dhe gjithëpërfshirës të normalitetit në shëndetësi dhe arsim gjatë COVID-19 është zbatuar nga UNFPA, UNICEF-i, UN Women dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë