Hën, Tet 26, 2020
Banner Top
Banner Top
Dromca realiteti kosovar (pak më gjatë për t’u mbajtur në mend)

Fitim Uka – Psikolog

1. Tre prezantime kërkojnë autorin 

Tre prezantime (si autor dhe bashkë autor) më ishin pranuar në konferencën më të madhe në botë të Shoqërisë për Hulumtime në Zhvillimin e Fëmijës në Baltimore, Maryland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në një konferencë të tillë kushton rreth 4000 mijë euro (me të gjitha shpenzimet). Të jetosh në Kosovë, ke dy zgjedhje për të marrë pjesë në këtë konferencë. Zgjedhja është të hysh kredi apo të kërkosh mbështetjen që të takon në institucionet tona, drejtuesit e të cilave e kanë gojën plot kërkim shkencorë, e xhepat bosh kur duhet të intervenojnë. Kështu që, e pashë konferencën nëpërmjet fotografive dhe punimet e mija u prezantuan nga të tjerat. I lumtur sa më nuk bëhet.

2. Milionerët VS të burgosurit e kredive 

Për një semestër të plotë, kisha udhëtuar në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit. Kisha nënshkruar kontratën për disa të holla që mezi mbulonin shpenzimet e mija të udhëtimit deri atje, por isha më i motivuar se kurrë. Mbajta disa herë edhe provimet dhe dorëzova rezultatet. Pas gjithë angazhimit, diku pesë muaj më pas, me kërkesën time për sqarime, më njoftuan që nuk mund të më paguajnë për shkak të një problemi, që kurrë se kuptova se cili ishte. Çuditërisht, zv/dekanit e rektorit thanë se iu del paga me rregull, por për mua dhe për ndonjë të dobët si puna ime, kishte probleme. Mbetem me ngushëllimin e vetëm që kam takuar dhe punuar me një grup të shkëlqyeshëm studentësh. E sa për të hollat, le t’i marrin ata që iu duhen edhe pak për të bërë milionat, sepse mua edhe ashtu nuk po më hiqet kredia e po më shtohet mëkati.

3. Kur të vrasin shpresën dhe krenohen me krimin

Për një vit e gjysmë, bashkë me ekipin e jashtëzakonshëm të Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, kemi organizuar dhjetëra aktivitete vullnetare. Për mua dhe tre shokët e mi, Besnikun, Ramizin e Liridonin, ky është një ushqim për shpirtin. Në këtë rrugëtim kemi njohur dhjetëra vullnetarë që kanë reflektuar vlera të tilla. Më dhemb të shoh, gjithë këtë potencial intelektual të të rinjve, kryesisht studentë, entuziastë të hulumtimit, debatit shkencorë, intervenimeve në komunitet, që nëpërkëmbet nga një klasë politike, që njeh vetëm ngjyrat partiake. Më vjen keq për të tashmen e tyre dhe për faktin që askush nuk ua kupton gjuhën. Duket mision i pamundshëm të motivojë për të ardhmen, një grup të rinjsh që iu është vrarë shpresa.

4. Të lumturit në depresion 

Dhe, ne jemi populli më i lumtur në botë. Çfarë çrregullimi kolektiv është ky vallë? Apo ndoshta, unë jetoj në një realitet tjetër? Ndoshta, kreditë, mungesa e perspektivës, korrupsioni, nepotizmi, haraçi, kazinot, krimet, tallavaja, antivlerat e ushqejnë këtë ndjenjë lumturie? Ndoshta, më duhet që të ndërrojë vend. Kjo, sepse një i “palumtur i pandreqshëm”, nuk mund të jetoj në një vend përplot me të lumtur që duken në depresion.

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë