Die, Jan 24, 2021
Banner Top
Banner Top
COVID-19 mbylli qindra biznese në Kosovë

Kosova, krahasuar me vendet e rajonit, i ka dalë më së paku në ndihmë bizneseve dhe ekonomisë, për të rikuperuar humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë COVID-19.

Rikthimi i disa masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri në Kosovë, ka vazhduar me humbje të mëdha për ekonominë e vendit, duke bërë që shumë të punësuar të humbin vendin e tyre të punës dhe bizneset të shkojnë drejt falimentimit, thonë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë.

Kryetari i Agjencisë Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i bizneseve të mbyllura është rreth 5 mijë.

“Në bazë të informacioneve që ne posedojmë anë e mbanë vendit, nga pandemia mund të jenë mbyllur rreth 5 mijë biznese, të cilat një numër i tyre ka falimentuar, një numër tyre ka pushuar aktivitetin dhe pret ditë të mira dhe një numër i tyre është shuar”, thotë Shahini

Ndërsa sipas Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi nëse vazhdon kjo situatë deri në fund të vitit, do të mbyllen mijëra biznese.

“Me shpresën që do të ketë përkrahje, shumë biznese me shumë vështirësi e kanë shtyrë aktivitetin e tyre. Nëse kjo përkrahje vonohet, atëherë goxha një numër i madh, mijëra biznese nuk do të mund ta presin pranverën e vitit 2021”, thotë Rukiqi.

Në muajin korrik Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), u ka bërë thirrje partive politike që të shmangin diskursin konflikt-nxitës dhe rrënimin e prospekteve të rimëkëmbjes ekonomike.

“Vonesat e mëtejme në aprovimin e ndryshimeve të kornizës buxhetore por edhe të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare do të vonojnë disbursimin e mjeteve të zotuara në ndihmë të ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit privat, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në komunikaëtn e OEAK.

Sektori i gastronomisë në Kosovë konsiderohet si njëri ndër sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me rishikimin e buxhetit, do të përfshihet edhe një Fond i Rimëkëmbjes për të ndihmuar bizneset e goditura nga pandemia e koronavirusit.

Po ashtu kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka paralajmëruar që në shumë sektorë të ketë rënie deri në 50 për qind të qarkullimit vjetor, madje nëse nuk ndodh rimëkëmbja ekonomike shumë prej këtyre kompanive mund të falimentojnë.

Së fundi Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovën, Linda van Gelder kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për projektin “Financimi i Emergjencës së Pandemisë”, në vlerë rreth 2 milionë euro.

Ky projekt do të ndikojë po ashtu në forcimin e sistemit të mbikëqyrjes së sëmundjeve dhe laboratorëve të shëndetit publik.

Ndryshe, financimi i këtij projekti i kontribon kredisë së nënshkruar dhe ratifikuar së fundmi me Bankën Botërore për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”, në vlerë 46 milionë euro./FamiljaJone

Arkiva

Kategoritë