Mar, Tet 20, 2020
Banner Top
Banner Top
ÇKA ËSHTË SINDROMA GUILLAIN-BARRE?

Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu Neurolog

Sindroma Guillain-Barré (Gijan-Bare) paraqet pezmatimin akut progresiv, joinfektiv, të sistemit nervor periferik që rezulton me humbjen e ndjeshmërisë në gjymtyrët, paralizën apo humbjen e fuqisë motorike të tyre, si edhe në disa raste pengesa të ashtuquajtura autonome, siç janë luhatja e shtypjes së gjakut dhe e ritmit të zemrës, barkqitja, pamundësia apo vështirësia e urinimit, djersitja e pakontrolluar dhe të ngjashme.

Sistemi nervor periferik përbëhet nga nervat të cilat ngjashëm me kabllot elektrike shtrihen nga trungu trunor dhe palca e kurrizit në drejtim të kokës, qafës, kraharorit, barkut dhe gjymtyrëve. Nervat mbështillen nga një mbështjellës proteinik-lipidik që quhet mielinë, i cili e kryen rolin e izolatorit dhe përçuesit të elektricitetit. Në këtë sëmundje vjen deri te dëmtimi i këtij mbështjellësi dhe si pasojë e dëmtimit fillimisht shfaqet mpirja e cila fillon duart e shputat dhe gradualisht ngjitet në drejtim të pjesëve më të sipërme drejt trupit. Mpirja pasohet nga humbja graduale e fuqisë motorike dhe pacienti shumë shpejt mund të vijë në gjendjen ku nuk mund të lëvizë. Në disa raste preken edhe nervat e organeve të brendshme dhe kësisoj shfaqen edhe problemet me shtypjen e gjakut, ritmin e zemrës, frymëmarrjen, përtypjen dhe gëlltitjen, urinimin, defekimin, djersitjen etj.

Në një numër të konsiderueshëm rastesh, ky pezmatim i nervave periferikë paraprihet nga infeksioni i traktit të tretjes apo i rrugëve të frymëmarrjes. Duke qenë se mikroorganizmi është i ngjashëm me mbështjellësin e nervave, zhvillohet një reaksion i pakontrolluar imunologjik që çon deri te simptomat e lartpërmendura.

Diagnostikimi i sindromës Guillain-Barré bëhet me elektroneuromiografi (ENMG) dhe punksion lumbal. Punksioni lumbal paraqet procedurën e marrjes së mostrës së lëngut trunoshpinor nga regjioni i belit dhe analizimin e tij në kushte laboratorike. Në bazë të rezultateve të këtyre procedurave, pas konstatimit të diagnozës, sa më shpejt të jetë i mundur duhet të fillohet me aplikimin e imunoglobulinës intravenoze apo të plazmaferezës. Ndërhyrja e shpejtë terapeutike dhe trajtimi i komplikimeve të tjera janë jetike për ndërprerjen e hovit të sëmundjes. Rehabilitimi fizikal i mirëfilltë u mundëson pacientëve që gradualisht t’i rikthejnë funksionet e tyre motorike dhe t’i kthehen punës së tyre të përditshme. /Familja Jonë

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë