Mër, Tet 28, 2020
Banner Top
Banner Top
Cfarë është bërryli I tenisit/ Dëmtimi I nervit Ulnar

Shkruar nga: Dr. Blerim Myftiu

Nervi ulnar është njëri prej nervave kryesorë të krahut i cili mundëson shumë funksione në duar. Shtrirja e gishtave, largimi dhe përafrimi ndërmjet tyre, shkathtësitë e dorës janë disa nga funksionet shumë të rëndësishme të këtij nervi. Nervi ka një shtrirje të gjatë përgjatë krahut dhe gjatë kësaj rruge kalon nëpër disa kanale të ngushta të cilat mund të jenë potencialisht vende në të cilat nervi mund të shtypet/komprimohet.

Njëri prej vendeve të shpeshta ku nervi lëndohet apo shtypet është bërryli. Në pjesën e brendshme të bërrylit, nervi kalon nëpër një kanal të ngushtë (kanali kubital) ku njërin mur të kanalit e përbën zgjatimi i ashtit (epikondili medial). Arsyet e lëndimit të nervit në këtë pikë janë të shumta:
– Shtypja në tastierë apo puna në tavolinë, shpesh na detyron që të mbështetemi me parakrahë për tavolinën. Në këso raste, nervi mbetet ndërmjet tavolinës dhe ashtit duke shkaktuar ndrydhjen dhe lëndimin i cili mund të jetë i lehtë apo i rëndë.
– Pozita e gjumit kur krahu mbetet nën trup apo bërrylin e fusim nën jastëk dhe flemë mbi të mund ta shkaktojë ndrydhjen e nervit, pasi mund të flemë një kohë të gjatë në një pozitë të njëjtë.
– Goditja e papritur në bërryl apo rrëzimi mund ta shkaktojë lëndimin e nervit ngase në pozitën e lartpërmendur të bërrylit nervi është i pambrojtur.
– Lëvizjet e përsëritura në nivel bërryli, siç është për shembull natyra e sportit të tenisit kanë bërë që ky lloj lëndimi të emërtohet si “bërryli i tenistit”.

Simptomat kryesore të lëndimit të nervit ulnar janë: mpirja e gishtit të vogël dhe e gjysmës së brendshme të gishtit të katërt të dorës, dobësimi i fuqisë për të bërë grusht, humbja e shkathtësisë së punës me gishtat e dorës, dobësimi i hapjes së gishtave. Nëse lëndimi i nervit vazhdon kohë të gjatë, atëherë pashmangshëm vjen deri te shkrirja (atrofia) e muskujve të dorës.

Testi i parë i cili duhet të bëhet medoemos është realizimi i ENMG-së, me të cilën mundësohet matja e funksionit të nervit dhe lokalizimi i problemit eventual në bërryl. Po qe se konstatohet dëmtimi, atëherë medoemos duhet të realizohet rezonanca magnetike (RM) e bërrylit në mënyrë që të vihet në pah shkaku i dëmtimit. Në rastet kur mund të pritet, trajtimi bëhet me barna antiinflamatorë dhe ortoza për kufizimin e lëvizjeve të bërrylit. Mirëpo, nëse në ENMG ka dëmtime të shprehura të funksionit të nervit dhe/apo nëse në RM haset në ndryshime imazherike, pa humbur kohë pacienti duhet të udhëzohet për te ortopedi për realizimin e “lirimit” të nervit.

0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë