Mër, Mar 27, 2024
Banner Top
Banner Top
Ç`duhet të dimë për neuropatinë diabetike?

Çfarë është neuropatia diabetike periferike?

Diabeti mund të dëmtojë nervat periferikë, të cilët ju ndihmojnë të ndjeni dhimbjen dhe temperaturën. Kjo gjendje, zakonisht prek këmbët. Megjithatë, mund të prekë edhe krahët e duart. Shkakton ndjesi të çuditshme në lëkurë dhe muskuj, gjithashtu mpirje të cilat mund të mos ju lejojnë të ndjeni dhimbjen pas një dëmtimi.

Çfarë e shkakton neuropatinë diabetike?

Personat me diabet janë më të prirur të kenë nivel të lartë të glukozës dhe triglicerideve në gjak. Me kohën, ato mund të dëmtojnë nervat të cilat çojnë sinjalet në tru, si dhe vazat e vogla të gjakut që furnizojnë nervat me nutrientë. Mënyra më e mirë për të parandaluar ose për të kontrolluar neuropatinë diabetike është duke mbajtur të stabilizuar nivelin e glukozës në gjak dhe presionin arterial.

Kush preket nga neuropatia diabetike?

Pothuajse gjysma e personave me diabet ka një lloj dëmtimi nervor. 2 nga 10 persona që diagnostikohen me diabet, kanë tashmë edhe neuropati diabetike. Personat që janë obezë ose që kanë prediabet ose sindrom metabolik (hipertension arterial, glicemi të lartë, hiperkolesterolemi) kanë më shumë probabilitet të preken gjithashtu.

Cilat janë simptomat?

Ndjesi shpimi dhe djegie si “maja gjilpërash” në këmbë ose në gishta. Prekja më e vogël, qoftë edhe nga prekja e çarçafit, mund të shkaktojë dhimbje. Me kohën, muskujt fillojnë të dobësohen, kryesisht përreth kyçeve, çka mund të vështirësojë ecjen dhe ekuilibrin. Megjithatë, mund të ndodhë edhe mos të keni simptoma dhe përsëri të keni dëmtim nervor.

Konsultohuni me mjekun

Nëse vuani nga diabeti, është shumë e rëndësishme të diagnostikoni në kohë neuropatinë diabetike. Sa shpesh duhet të konsultoheni me mjekun? Nëse vuani nga diabeti i tipit 2, duhet të konsultoheni një herë në vit. Nëse vuani nga diabeti i tipit 1, duhet të konsultoheni për çdo vit, duke filluar pas pubertetit ose 5 vjet nga diagnostikimi (nëse jeni diagnostikuar më vonë).

Vizita me mjekun

Meqenëse neuropatia diabetike nis kryesisht ne këmbë, mjeku do t`ju kontrollojë për dëmtime të mundshme në këmbë. Do të kontrollojë ekuilibrin tuaj dhe do ju kërkojë të ecni. Gjithashtu, do të testohet nëse i ndjeni ndryshimet e temperaturës, prekjet e lehta dhe vibrimin. 

Analiza gjaku dhe urine

Këto analiza e ndihmojnë mjekun për të kontrolluar nivelin e glicemisë dhe triglicerideve në gjak. Gjithashtu, këto analiza mund të shërbejnë për të përjashtuar edhe shkaqe të tjera shëndetësore të neuropatisë si sëmundjet e veshkave, tiroides, nivel i ulët i vitaminës B12, infeksione, kancer, abuzim me alkoolin – për të cilat janë të nevojshëm forma të tjera trajtimi.

Si trajtohet?

Mjekimet për depresion (citalopram, desipramine, nortriptyline, paroxetine) dhe për epilepsi (gabapentin, pregabalin) mund të lehtësojnë dhimbjen e neuropatisë diabetike, por barnat OTC (pa recetë) nuk janë shumë efikase. Gjithashtu, produktet të cilat aplikohen në lëkurë, si lidokaina, mund të ndihmojnë.

Megjithatë, asgjë nuk e rikthen dëmtimin e nervit. Mjeku juaj, mund t`ju rekomandojë edhe aktivitete fizike specifike për të t`ju ndihmuar të ndiheni më mirë dhe për t`ju mbajtur në lëvizje.

Infeksionet

Një nga pasojat e neuropatisë periferike është se mund të mos vini re dëmtime të mundshme. M.q.s. diabeti vështirëson shërimin e plagëve, ato mund të kthehen në serioze deri në momentin që ju i vini re, pasi mund të infektohen. Pa kujdesin e nevojshëm, mund të humbisni një gisht, këmbën ose pjesë më të mëdha të gjymtyrëve.

Kujdesuni për këmbët tuaja

Çdo ditë, kontrolloni këmbët tuaja për dëmtime të mundshme. Mos harroni të kontrolloni edhe hapësirat ndërmjet gishtave. Lani këmbët çdo ditë me ujë të vakët, temperatura 30-35 gradë është e përshtatshme.

Kur jeni shtrirë, lëvizni vazhdimisht gishtat e këmbëve dhe mbajini këmbët lartë për të nxitur qarkullimin e gjakut. Nëse vini re një problem që nuk zhduket brenda pak ditëve, telefononi mjekun tuaj.

Mbani këpucë të rehatshme dhe jo të shtrënguara. Kur të konsultoheni me mjekun, vishni këpucët që përdorni më shpesh, në mënyrë që mjeku të shoh dhe t`ju këshilloj për llojin e duhur të këpucëve.

Lloje të tjera neuropatie

Diabeti mund të shkaktojë probleme me nervat edhe në pjesë të tjera të trupit.

Autonomike: një dëmtim i nervave që ndihmojnë në kontrollin e fshikëzës urinare, stomakut, syve, vazave të gjakut dhe funksioneve të tjera në organizëm.

Proksimale: në pjesët e legenit, zakonisht në njërën anë, çka vështirëson lëvizjen.

Fokale: dëmton një nerv të vetëm, kryesisht në këmbë, duar, kokë, kraharor, abdomen.

Youtube

Arkiva

Kategoritë