Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
Biseda e fundit

Besnik Peci – Psikolog/Sociolog

Po kur përballemi me fjalën “Lamtumirë”, edhe pse nuk duam ta themi këtë fjalë me dëshirë, është vdekja që na kujton se ka ardhur ora për t’u ndarë përfundimisht…

Ka gjithmonë një të nesërme dhe jeta na jep mundësi të tjera për të bërë gjërat ashtu siç duhen, por çfarë në rast se bëjmë gabim dhe na mbetet vetëm e sotmja?!
Mirupafshim, shihemi nesër! Çdo ndarje është një pjesë e vogël e vdekjes dhe për çdo ditë ndahemi me miqtë, të afërmit, me të dashurit tonë. Sa bukur tingëllojnë këto fjalë që në vete mbartin shpresën se do takohemi sërish. Janë fjalët që na përcjellin nga fillimi i ditës me “mirëmëngjesi” e deri në mbrëmjet e vona kur gjumi na bjen mbi qepalla.
Po kur përballemi me fjalën “Lamtumirë”, edhe pse nuk duam ta themi këtë fjalë me dëshirë, është vdekja që na kujton se ka ardhur ora për tu ndarë përfundimisht.
Dhe kur ajo afrohet çdo moment e më afër, biseda e fundit do të jetë nderi më i madh që do të kemi rastin të bëjmë për atë që po vdes. Të duhet ta shohësh mikun tënd në sy me keqardhje dhe t’i dëgjosh fjalët e tij për të fundit herë. Fjalë që në çdo çast marrin ngjyrën tjetër të zërit, gjersa vetëm shikimi mbetet i mbytur në ty. Po ty çfarë të mbetet të thuash veç se Lamtumirë miku im, nuk do të kisha ndërruar me tërë botën, por jam i pafuqishëm.
Në këtë moment më së shumti të duhet dikush që ta kesh afër për të dëgjuar fjalët që nuk mund të jepet rasti t’i thuash sërish. Për t’i thënë të gjitha ato fjalë që do ta bënin më të lehtë ndarjen me ata që i deshe më së shumti. I vështirë është ky çast. Kur ai që vdes të drejtohet me sy të mpirë, sikur të kërkon ndihmë, i dëshpëruar dhe i vetëdijshëm se nuk mund ta merr ndihmën tuaj. Ky komunikim përfundimtar edhe pse i shkurtër në kohë, kurrë nuk do të largohet nga mendja dhe do të përcjellë përherë.

Diversitetet dhe përgjigjet që i jepen këtij procesi

Megjithatë, dallime të ndjeshme ka në mënyrën se si individët përjetojnë dhe reagojnë në momentet e fundit të jetës, pra se si do t’i përgjigjen vdekjes. Faktorë te ndryshëm përcaktojnë të përballurit e individit me vdekjen, varësisht se cili është shkaku i vdekjes (nga ndonjë sëmundje apo lëndim i rëndë), gjinisë, moshës, personalitetit, llojit të mbështetjes qe marrin nga miqtë dhe familja, bindjet religjioze, kultura e individit etj. Ndryshe do të zhvillohet një bisedë përfundimtare me një person me bindje fetare (religjioze) dhe ndryshe me një ateist, sikurse që do të ishte ndryshe biseda përfundimtare prej një shkrimtari nga një krimineli. Përgjithësisht, në momentet e fundit ata që vdesin shprehin dashurinë për jetën, por në forma të ndryshme. Dikush ndien të shpreh dashuri të skajshme për të tjerët e dikush kërkon të shfajësohet apo të kërkojë falje.
Natyrisht se jo të gjitha bisedat finale zhvillohen njësoj. Pos individualitetit njerëzor, që mund të ndikojë formën e zhvillimit të bisedës finale, është edhe konteksti kulturor, pjesa tjetër që mund të ndikojë në zhvillimin dhe kahjen që merr kjo bisedë.
Ta zëmë se kemi të bëjmë me zhvillimin e një bisede finale me dy njerëz të ndryshëm për nga besimi. I pari që beson në ekzistencën e Zotit dhe i dyti që është ateist. Nuk do mend se dallimet do të jenë të mëdha. Individi që beson në Zot, i ka në funksion mekanizmat mbrojtës gjatë gjithë kohës dhe normalisht, këta mekanizma ia lehtësojnë atij zhvillimin e bisedës me të tjerët. Për lexuesit e rëndomtë, mekanizmat mbrojtës janë ata që njeriu i përdorë për ta larguar fajin apo frikën dhe për ta racionalizuar veprimin apo problemin e tij. Ndërsa një ateist, i cili mendon që pas vdekjes nuk ka ringjallje, biseda e fundit do të thotë vdekje fizike dhe shpirtërore, nuk ka riinkarnim as në tokë, as në qiell dhe si përfundim, mundësia e përdorimit të mekanizmave mbrojtës është shumë më e vogël dhe biseda e fundit bëhet ndryshe. Thuhet kush pëson, mëson. Një individ që përafërsisht ka përjetuar diçka të ngjashme si bisedën e fundit para vdekjes, ose frymën e fundit të lëshuar, dikush që është i vetëdijshëm që vdekja është proces i natyrshëm, normalisht që do t’i kalojë më lehtë të gjitha vështirësitë që e shoqërojnë këtë proces.

Fazat e vdekjes

Për të ilustruar fazat e vdekjes dhe mënyrën se si njerëzit vijnë te biseda finale, shërben koncepti i Elizabeth Kubler Ros. Sipas Ros, individët që janë duke iu afruar vdekjes kalojnë nëpër pesë faza (Ros 1969). Fillimisht ata mohojnë vdekjen dhe i rezistojnë idesë se janë duke vdekur, më pas zemërohen pse janë zgjedhur për të vdekur. Pason periudha kur njeriu në prag të vdekjes tenton të bëjë marrëveshje me vdekjen, duke kërkuar që ajo të pret edhe për një kohë të shkurtër. Ngel që të moshuarit të përjetojnë një depresion të rëndë, para se të kalojnë në fazën e fundit, atë të pranimit të vdekjes. Ka edhe studiues e mendimtarë të tjerë që kanë ndarë faza të tjera të ballafaqimit me vdekjen, por të gjithë pajtohen se në fund të fundit pranimi është i pashmangshëm. Zakonisht ata janë jo emocionalë dhe jo komunikues; është sikur ata të kenë bërë paqe me vetveten dhe janë gati ta presin atë.
Kur njeriu pranon se vdekja po i vije, lind edhe nevoja të flasë me dikë dhe, në një farë forme, të shpalos jetën e tij. Ai që po vdes ka nevojë të evokojë çastet e bukura të jetës së tij, e pse jo edhe çastet e hidhura.Po ashtu ai ka nevojë të bisedojë me dikë për gjërat e parealizuara që ndoshta i kanë mbetur peng në zemër. Ai ka nevojë të falet dhe të falë të tjerët. Ai ka nevojë të largohet nga kjo botë i qetë dhe të mos i mbetet asgjë e pathënë. Për shumë njerëz kjo njihet si bisedë finale, edhe pse mund të mos jetë e fundit!

Kur e dimë se jemi duke biseduar për herë të fundit?

Biseda finale përfshinë të gjitha momentet e të folurit, të prekurit dhe kohës që shpenzon njeriu që po vdesë. Këto momente potencialisht fillojnë kur të kuptojmë se dikush që ne e duam apo e njofim është duke vdekur dhe vazhdon deri në momentin kur ai jep frymën e fundit.
Biseda finale nuk është domosdoshmërisht “biseda e fundit” që njeriu që po vdes e zhvillon me këdo, edhe pse në disa raste edhe mund të jetë. Unike për bisedën e fundit është fakti se të dy bashkëbiseduesit janë të vetëdijshëm se njëri prej tyre është në prag të vdekjes. Këto momente janë të mbushura me “makthin” e vdekjes së dikujt në mënyrë të papritur. Këto janë momente që mund të planifikohen, të shfaqen në mënyrë spontane, sepse ti ke ngadalësuar veten sa të arrish qetësisht dhe me durim të bisedosh me njeriun që po vdesë. Këto janë momente që duhet mbajtur në zemër. Të paktën, duhet ndjerë mirë për mundësinë që ke të thuash lamtumirën e fundit.
Sa herë në jetë ke dëgjuar dikënd duke thënë ose “ke thënë vetë”, nuk pata rastin t’i them lamtumirë… Biseda finale ofron të tillën mundësi!
Ne, kur kemi ardhur në këtë botë, nuk kemi ardhur me vullnetin apo dëshirën tonë, nuk na ka pyetur askush, e njëjta vlen edhe kur të shkëputemi nga ky proces që ne e kemi emërtuar si jetë! Dhe vërtet, vetëm atëherë kur ta pranojmë këtë koncept si një proces të pashmangshëm dhe të domosdoshëm, ne do të mund ta tejkalojmë me lehtë momentet e fundit te saj . Dhe derisa presim vdekjen, varet tërësisht nga vet ne, se a do ta jetojmë këtë periudhë kohore, sado e “gjatë” qoftë ajo, në ankth, vuajtje, mjerim, apo qetësisht. siç thotë edhe Kaleni (1996) “…të jetojmë duke vdekur, apo, të vdesim duke jetuar”. Gjithmonë vdekja dhe momentet e fundit shkaktojnë dhimbje dhe pikëllim të madh.
Është e zakonshme empatia në të tilla raste. Ne bashkëndjejmë me të tjerët, me gjendjen e tyre dhe së këndejmi frymëzimi shtohet dhe argumentimi bëhet më i logjikshëm dhe më faktues. Asnjë reflektim nuk mund të jetë më produktiv se sa ai që bazohet në empati, por natyrisht, pa humbur asnjëherë objektiviteti dhe gjykimi racional.

Në vend të fjalës së fundit

Çdo komunikim që ne e zhvillojmë me të tjerët mund të jetë i fundit. Ndoshta ndoshta ky shkrim që ne bëmë për revistën “Psika”, do të jetë komunikimi ynë i fundit me ju, do të jetë mesazhi i fundit që mund të pëcjell, ndoshta është reflektimi ynë i fundit në karrierën e brishtë dhe ëndërrimtare të dy psikologëve të rinj e pasionantë. Por, ja që nuk e ndjejmë si bisedën e fundit dhe nuk mund të quhet e tillë.
Çdo njeri që ka hyrë në këtë jetë do të dalë i vdekur që këndej, por duhet pritur që kjo të vijë natyrshëm. I mençuri dhe i forti edhe mes dhembjes së pasosur di të nxjerrë një çast kënaqësie. I forti nuk ka frikë nga e ardhmja, nga jeta, ai nuk ikë nga kjo botë pa dinjitet edhe kur mendon se e ka mbuluar errësira. Ai është në kërkim të dritës dhe e ka të qartë të vërtetën e lashtë se edhe nata më e errët e ka fundin e ndritshëm.
Prandaj askush nuk thotë se problemet nuk ekzistojnë, askush nuk mund ta mohojë se jeta ndonjëherë dhe me dikë tregohet më e ashpër, por kjo nuk është arsye që ne të dorëzohemi dhe ta lëmë veten që jeta të na luhatë si një varkë prej letre. Duhet të jemi kapitenë të jetës sonë. Asgjë, absolutisht asgjë nuk është e pakalueshme, e pazgjidhshme! Duhet vetëm pak guxim, pak frymë luftarake për ta qarë perden e errët të frikës dhe dyshimit që na rrethon ndonjëherë, për ta parë se jeta ka edhe pjesën tjetër, atë të bukurën, atë të butën, shpresën dhe begatinë. Sigurisht i dedikohem atyre që ende nuk kanë filluar ta shijojnë kënaqësinë e jetës.
Tek e fundit, çfarë mund të bëjë njeriu për të ndryshuar fatin e tij? Sado që studiuesit e ndryshëm kanë ndarë faza të llojllojshme të përballjes me vdekjen dhe vënë theksin e veçantë vetëm tek të moshuarit, një gjë është e sigurt; që mosha e rritur është periudha kur njeriu arrin të bëjë një lloj kompromisi të dhimbshëm me jetën e tij, e ky është pranimi i vdekjes si fund i natyrshëm.
Të pajtohesh me një fund pa kthim do të jetë vërtetë dy herë më vështirë se sa të pajtohesh me një fund që shënon fillimin e diçkaje. Dallimi është i madh, sado që po flasim për të njëjtën vdekje.
Sipas Bernstein, mendimi për vdekjen kryesisht dominon në të pavetëdijshmen. Ai e dirigjon njeriun dhe nuk e lë të jetoj i lirë dhe të sillet në mënyrën e tij (Bernstein 2004).
Në një formë a një tjetër, vdekja shënon fundin e ekzistencës fizike, por nuk mund të shlyejë dot ekzistimin e ideve, veprave dhe mendimeve të individit. Ky është i vetmi dimension i njeriut që ngelet gjallë edhe pas vdekjes së tij. Prandaj të punojmë dhe të krijojmë që veprat tona të jenë argument se dikur kemi jetuar!

Youtube

Arkiva

Kategoritë