Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Sa mirë i kuptoni emocionet tuaja?

Njerëzit shpesh i ngatërrojnë edhe vetë emocionet e tyre. Ata nuk janë në gjendje t’i lexojnë siç duhet dhe shpesh u vënë emërtim të gabuar. Ata gjithashtu i lexojnë gabim edhe emocionet e të tjerëve

Psikologji – Eksperienca emocionale e një personi zakonisht rezulton në një interpretim subjektiv të një ngjarjeje në vend të asaj që ka ndodhur realisht. Për këtë arsye, besimet e përfshira mund të mos jenë të sakta. Neuro shkencëtari Damasio shkruan se ndjenjat janë një eksperiencë trupore e provokuar nga një përgjigje emocionale

Sa mirë i kuptoni emocionet tuaja? Niçe dikur tha se ne shpesh nuk ia kemi fare idenë të asaj që e kemi më pranë. Dhe asgjë nuk është më pranë nesh sesa emocionet tona. Për këtë arsye, ne nuk i kuptojmë ato. Ja cilat janë keqkuptimet më të zakonshme që çdo njeri i ka për emocionet e tij.

Nuk mund t’i ndryshoni ndjenjat

Emocionet janë forma të gjykimit. Eksperienca emocionale e një personi zakonisht rezulton në një interpretim subjektiv të një ngjarjeje në vend të asaj që ka ndodhur realisht. Për këtë arsye, besimet e përfshira mund të mos jenë të sakta. Njerëzit një ngjarje mund ta interpretojnë në forma të ndryshme. Për shembull, kur dikush mban zi për vdekjen e një personi, ai gjykon për rëndësinë e këtij njeriu në jetën e tij. Ku nuk ka një lloj lidhjeje me subjektin nuk provohet asnjë emocion. Duke e kuptuar më mirë se çfarë ndodh me ndjenjat, ne mund të arrijmë t’i përmbajmë apo ndryshojmë.

  • Emocionet nuk shprehen me fjalë

Është e vërtetë që gjuha nuk është zhvilluar nga eksperiencat tona të brendshme, por kjo nuk do të thotë se emocionet janë aq të thella sa të mos arrihet të përshkruhen. Emocionet mund të përkthehen në fjalë dhe të analizohen me detaje. Prindërit dhe mësuesit shpesh u kërkojnë fëmijëve të përdorin fjalët për të shprehur mërzinë apo lumturinë. Për më tepër kërkimet kanë provuar se përshkrimi i zemërimit dhe frikës ndihmojnë shumë me vetëkontrollin. Akti i thjeshtë i shpjegimit të ndjenjave me fjalë, aktivizon sistemin e kontrollit të trurit dhe zbut reagimet emocionale.

Neuroshkencëtari Damasio shkruan se ndjenjat janë një eksperiencë trupore e provokuar nga një nxitje emocionale. Ndjenjat kërkojnë një lloj elementi të ndërgjegjes. Me fjalë të tjera, ato regjistrohen në ndërgjegje dhe nuk janë edhe aq intelektuale (si për shembull mendimi). Nëse do të mendonit se një emocion është aq i thjeshtë sa një ndjesi trupore, kjo është e gabuar, pasi emocionet nuk reflektojnë mbi një ngjarje të caktuar, si ndjenjat.

  • “Metafora hidraulike”

Siç sugjeron dhe emri, nëse emocioneve u mohohet shprehja, ato do të rrjedhin gjetkë. Dhe ne duhet t’i shprehim emocionet në mënyrë që të ndihemi më mirë. Kjo është arsyeja përse shumë njerëz ndjekin terapi për të shprehur emocionet e tyre, në mënyrë që të mos krijohet një akumulim mbytës.

  • “E di se çfarë bëre për të më mërzitur”

Njerëzit shpesh i ngatërrojnë edhe vetë emocionet e tyre. Ata nuk janë në gjendje t’i lexojnë siç duhet dhe shpesh u vënë emërtim të gabuar. Ata gjithashtu i lexojnë gabim edhe emocionet e të tjerëve, veçanërisht kur perceptimi i tyre ndikohet nga preferencat ose paragjykimet. Nëse njerëzit do të ishin në gjendje të kuptonin me saktësi se çfarë ndodh në mendjen e tyre në çastin kur reagojnë emocionalisht ndaj një fenomeni të jashtëm, atëherë ata do ta kenë më të lehtë të arrijnë një lloj vetëpërmbajtjeje.

  • Emocionet janë “budallaqe”

Emocioni dhe arsyeja konkurrojnë mes tyre, por forcat plotësuese që ndërveprojnë, ndikojnë vazhdimisht te njëra-tjetra. Provat shkencore tregojnë se emocioni është pjesë e mekanizmit të arsyetimit dhe një mungesë e tij prek për keq vendimmarrjen. Për shembull, te fëmijët me autizëm mungesa e kapacitetit emocional ndikon negativisht te ndjenjat e tyre.

Njerëzve shpesh u duhet të mbështeten tek emocionet e tyre për të marrë vendime të suksesshme. Reagimet emocionale kanë provuar se ekzistojnë dhe janë lidhur me një instinkt të brendshëm që e bën vendimmarrjen më funksionale.

  • Emocionet janë irracionale

Emocionet tona ndikojnë shumë në mirëqenien tonë personale. Për shembull, zilia është një emocion irracional. Në zemër të zilisë është një krahasim inatçor mbi gjërat që dikush i ka dhe një tjetër jo. Vajtimi kur humbim një person të zemrës është një emocion racional. Faji shihet si një nga emocionet morale të lidhura me interesat e njerëzve dhe shqetësimin për të tjerët. Dashuria është irracionale, kur dikush fiksohet të ketë diçka që nuk mundet.

  • Emocionet na ndodhin

Shumica e emocioneve tona kryesisht nuk janë plotësisht në kontrollin tonë. Është një model i sjelljes, i zgjedhur dhe i praktikuar me kohën. Disa zbulojnë për shembull se zemërimi është një mënyrë efektive e frikësimit të njerëzve dhe ia lejojnë vetes të zemërohen kur provokohen paksa. Disa kultivojnë trishtimin, ndoshta sepse fitojnë simpatinë e të tjerëve në këtë mënyrë.

  • “Do të ndihem përherë kështu”

Emocionet tipike janë në thelb kalimtare. Çfarë vjen, edhe largohet. Siç e ka thënë edhe Sokrati “Dashuria më e zjarrtë ka fundin më të akullt”. Emocionet janë reagime të çastit dhe çastet nuk zgjasin përherë. Në varësi të emocionit që ndieni, ai mund të shtrihet përgjatë pak sekondave dhe në raste edhe të disa viteve, por gjithmonë merr fund.

Humori vështirë se ndreqet

Shumë studime kanë provuar se përshtatja me disa shprehje të fytyrës mund të sjellë emocionet përkatëse. Siç thotë edhe fjala “shtiruni derisa ta bëni tuajën”. Nëse silleni sikur jeni të lumtur, atëherë me kalimin e kohës lumturia do të bëhet pjesë e juaja. Duhet të keni parasysh se humori mund të ndreqet, ndaj sa herë që jeni të mërzitur, veproni në mënyrë të tillë që t’ju kthehet lumturia. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë