Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Fëmijët e rritur në natyrë bëhen te rritur më të lumtur.

Kontakti me natyrën dhe përjetimi i hapësirave te saj të mbushura me dritë e gjelbërim, aty ku mund të ndjesh aromën e tokës dhe të kundrosh fluturimin e qetë të gjetheve në fllad, mund të qetësojë jetën tonë të furishme. Është sikur vetë qelizat tona qetësohen kur jemi në natyrë e duke qetësuar rrjedhimisht trupat dhe mendjet tona.

Por në një botë që po urbanizohet shumë shpejt, hapësirat e gjelbra po tkurren e qytetet tona po rriten dhe zgjerohen. Shkencëtaret po përpiqen të kuptojnë si hapësirat ë gjelbra, ose mungesa e tyre, mund të ndikojnë në shëndetin tonë mendor.

Një studim i publikuar në revistën PNAS, tregon në mënyrë të detajuar, atë çfarë shkencëtarët thonë se është studimi më i madh për lidhjen midis hapësirave të gjelbra dhe shëndetit mendor.

Kërkuesit e Universitetit Aarhus në Danimarkë zbuluan se rritja pranë zonave me bimësi, ndikon në uljen e rrezikut te sëmundjeve mendore në moshë të rritur me 55%. 

Kristine Engemann, biologia e cila udhëhoqi studimin, kombinoi pamje satelitore të dekadave të fundit me të dhëna të detajuara demografike dhe të shëndetit të popullsisë Daneze, për investigimin e efekteve qe ka rritja pranë zonave te gjelbëruara në shëndetin mendor.

“Rendesia e këtij studimi është goxha me vlërë” shprehet Kelly Lambert, një neuroshkencëtar i Universitetit Richmond, i cili studion efektet psikologjike qe shkaktojnë hapësirat natyrore. Studime më të vogla kanë treguar se mungesa e hapësirave të gjelbra, rrit rrezikun e çrregullimeve të humorit e skizofrenisë dhe mund të ndikojë në zhvillimin konjitiv.

Por shumë faktorë të tjerë, si statusi socio-ekonomik, historia e sëmundjeve mendore në familje dhe urbanizimi, mund të kenë gjithashtu efekte madhore në shëndetin mendor. Familjet më të pasura, për shembull, mund të jetojnë në lagje të cilat janë më afër natyrës dhe me mundësi më shumë për të nxitur dhe përmirësuar zhvillimin e fëmijëve.

Të ndash efektet e natyrës nga shumë faktorë potencialë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin mendor, kërkon një databaze të dhënash shumë të pasur dhe sistemi i regjistrimit civil Danez ka bere pikërisht këtë.

Krijuar në vitin 1968, sistemi i bashkëngjit një numër identifikimi personal çdo qytetari danez, dhe regjistron gjininë, vendlindjen dhe PIN-in e prindërve. Një PIN lidh individët përmes shumë bazave të dhënash, duke përfshirë informacionet për shëndetin mendor dhe përditësohet në qoftë se ka ndryshim të vendit të banimit. “Është një burim jashtëzakonisht i pasur të dhënash” thotë  Engemann. Të dhënat finale të kërkuesve përmbledhin përafërsisht 1 milion danezë të cilët kanë lindur midis viteve 1985-2003, për të cilët ata kanë të dhëna të vazhdueshme mbi shëndetin mendor, statusin socio-ekonomik dhe vendin e banimit.

Të dhënat satelitore që nga viti 1985, lejuan kërkuesit të llogarisnin densitetin e bimësisë rreth çdo zone banimi. Të pajisur me këto të dhëna, kërkuesit krahasuan riskun e zhvillimit për 16 çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor në moshë të rritur, me dendësinë e hapësirave të gjelbra nga të cilat rrethohej banesa në fëmijëri e individëve të përfshirë në studim. Duke pasur të dhëna gjithashtu për të ardhurat e përvitshme, historikun e punës dhe nivelin arsimor, studiuesit mundën të analizojnë ndikimin relativ të hapësirave të gjelbra kundrejt faktorëve socio-ekonomik të prindërve dhe fqinjëve të tyre.

Pas analizës se gjithë këtyre faktorëve te ndërlidhur me njëri-tjetrin, kërkuesit treguan se rritja pranë hapësirave të gjelbra shoqërohej me rrezik më të ulët të zhvillimit të sëmundjeve të shëndetit mendor në moshë adulte me 15-55%, në varësi të sëmundjeve specifike. Për shembull, alkoolizmi ishte më shumë i lidhur me mungesën e hapësirave të gjelbra, ndërsa risku i zhvillimit të një paaftësie intelektuale nuk lidhej me hapësirat e gjelbra.

Lidhja e ngushtë midis hapësirave të gjelbra dhe riskut për çrregullime mendore ishte e ngjashme me faktorë të tjerë të njohur, të cilët ndikojnë në shëndetin mendor, siç është statusi socio-ekonomik. Sipas Engemann, është vlerësuar se rreth 20% e popullsisë adulte daneze do të vuajnë nga një shëndet i dobët mendor, duke bërë që edhe ndryshimet më të vogla të jenë potencialisht të rrezikshme.

“Hapësirat e gjelbra kanë një lidhje të ngjashme si historiku i çrregullimeve mendore ne familje apo statusi socio-ekonomik për sa i përket ndikimit në shëndetin mendor” thotë Engemann.

Për më tepër, efekti i gjelbërimit ishte “i varur nga doza”- sa më shumë kohë afër gjelbërimit në fëmijëri, aq më i ulët ishte rreziku i sëmundjeve mendore në moshë të rritur. Engemann vë në dukje se studimi ka disa kufizime: “Është teresisht korrelativ, kështu që ne nuk mund të themi përfundimisht se rritja afër gjelbërimit redukton riskun e sëmundjeve mendore”.

“Të vendosesh për shkakun dhe pasojat në variabla të tilla, është shumë e vështirë” ka thënë Engemann. Sidoqoftë, të dhënat të përdorura për këtë analizë, bën një lidhje midis shëndetit mendor dhe gjelbërimit.

“Efekti është mjaft i dallueshëm”, shprehet Lambert.

“Nëse ne do të  flisnim për një medikament që ka këtë lloj efekti, do të bënte shumë bujë, por këto rezultate sugjerojnë se shëtitjet në park në fëmijëri, janë po aq ndikuese”

Ndërlidhja e gjelbërimit me shëndet më të mirë mendor u pa si në zonat rurale ashtu dhe urbane të Danimarkës. “Ju mund të jeni rritur në zona urbane por rreziku është i reduktuar nëse jeni të rrethuar nga zona të gjelbra”, thotë Engemann. Studimi nuk mund të  tregojë se si lloje të ndryshme hapësirash të gjelbra dhe se si njerëzit i shfrytëzojnë ato ndikon në shëndetin mendor. A kanë pyjet më shumë ndikim se parqet? A duhet që këto hapësira të vizitohen vazhdimisht, apo rritja pranë tyre është e mjaftueshme? Këto janë disa nga pyetjet që Engemann shpreson që studimet e ardhshme do të mund t`i përgjigjen.

Një pyetje thelbësore mbetet: Pse?

Çfarë e bën rritjen afër pemëve, shkurreve dhe barit të duket të parandalojë zhvillimin e problemeve mendore? Lambert sugjeron se shpjegimi mund të shtrihet shumë thellë , në rrënjët e evolucionit. Ajo shprehet se njerëzit kanë evoluar të rrethuar nga hapësira të gjelbra, dhe të qenit të ekspozuar ndaj mjedisit “autokton” mund të ketë efekte të fuqishme fiziologjike dhe psikologjike. Përveç kësaj, më shumë gjelbërim mund të inkurajojë ndikimin shoqëror, aktivitet fizik dhe më pak ndotje të ajrit dhe ndotje akustike, të cilat janë të njohura për ndikimin në shëndetin mendor. Gjithashtu edhe ekspozimi ndaj një diversiteti të gjerë mikroorganizmash në fëmijëri, mund të luaj rol.

“Ka shumë mekanizma potencial të cilët duhen monitoruar, por përgjithësisht mendoj se ky studim është shumë i rëndësishëm” shprehet Lambert.

“Sugjeron se diçka aq e thjeshtë sa një planifikim më i mire i hapësirave në qytet, mund të ketë një impakt të thellë në shëndetin mendor dhe në mirëqenien e secilit nga ne”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë