Mar, Mar 26, 2024
Banner Top
Banner Top
Sa është shkalla e rrezikshmërisë nga Covid-19 tek personat që kanë sëmundjen e kancerit?

Intervistë me Ilir Kurtishin, drejtor i Klinikës së Onkologjisë

Që nga shfaqja e pandemisë në mars të këtij viti në Kosovë, virusi COVID-19 ka prekur pothuajse të gjitha kategoritë e njerëzve, duke mos anashkaluar as ata me sëmundjen e kancerit.

Ndonëse shkalla e imunitetit te këta të fundit është shumë më e ulët, prapëseprapë ata i kanë rezistuar koronavirusit.

Sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, deri më tani në Kosovë janë mbi 100 pacientë me kancer që janë të infektuar me koronavirus, por që, fatmirësisht nuk është shënuar ende asnjë i vdekur nga ky shkak. Nga të dhënat e kësaj klinike, shumica e këtyre pacientëve e kanë kaluar virusin si një grip të zakonshëm, ndërsa për një pjesë të vogël të pacientëvë është dashur një trajtim më intensiv.

“Kemi pasur raste me kancer që janë infektuar me COVID-19, kur numri i tyre arrinë mbi 100 persona. Por, fatmirësisht, të gjithë e kanë kaluar këtë problematikë si një infeksion viral me simptoma të gripit të zakonshëm, kurse disa të tjerë kanë pasur probleme më të theksuara, por e kanë kaluar virusin”, shprehet Kurtishi për portalin Familja jonë.

Ai më tutje tregon faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e tilla. Për dallim prej vendeve të tjera në rajon dhe botë që kanë shënuar viktima në raste të tilla, Kosova nuk e ka asnjë të vdekur. Sipas Kurtishit, edhe mosha e pacientëve luan rol të rëndësishëm në përballimin e pandemisë, ashtu që personat më të vjetër që e kanë kancerin e kalojnë më me vështirësi pandeminë. Arsyeja se pse Kosova ka shënuar rezultate të tilla, sipas Kurtishit, mund të jetë edhe mosha e re e atyre që kanë pasur koronavirusin dhe kancerin njëkohësisht, faktor ky që evidenton se më të rinjtë kanë shkallë imuniteti më të lartë.

Përveç pasojave që COVID-19 shkakton te të infektuarit me kancer, drejtori i Klinikës së Onkologjisë u pyet edhe për rrezikshmërinë e infektimit që kanë kjo kategori e njerëzve në krahasim me personat që nuk kanë sëmundje shoqëruese. Kurtishi deklaroi se shanset e infektimit janë të njëjta edhe për të sëmurit me kancer, por kujdesi nuk duhet të mungojë nga këta të fundit.

Për fund, ai shpjegoi në kuptim të përgjithshëm se nuk ka nevojë për trajtim shtesë për pacientët me kancer dhe koronavirus njëkohësisht, vetëm nëse gjendja e personit në fjalë përkeqësohet, ashtu siç ndodhë edhe me të infektuarit tjerë pa sëmundje shoqëruese./Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë