Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
MOS TA LËMË IZOLIMIN DHE KARANTINËN NË DËSHIRËN DHE VULLNETTIN E NJERËZVE!

Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

Se koronavirusi do të importohej një ditë në Kosovë nuk kishte dyshim. Marrë parasysh dendësinë e transportit dhe të komunikimit ajror, detar e tokësor të sotëm, përkundër të gjitha masave që do të merrnit, natyrisht se nuk do të shmangej me gjasë depërtimi i koronavirusit në Kosovë. Të gjitha shtetet, në mesin e tyre edhe Kosova, morën masa graduale për ta shmangur përhapjen e infeksionit. Mirëpo në shumicën e këtyre shteteve, masat graduale u treguan jo fort efikase dhe i shtynë qeveritë e tyre që me kalimin e çdo dite të marrin masa më radikale, masa të tilla që asnjë demokraci e përparuar perëndimore nuk i kishte marrë. Sot, italianët, spanjollët, francezët, shqiptarët në Shqipëri, maqedonasit, serbët, nesër me gjasë anglezët dhe pasnesër edhe amerikanët, do të izolohen nëpër shtëpitë e tyre – ME DETYRIM SHTETËROR!

Rasti i parë i identifikuar në Kosovë u tregua se kishte ardhur nga Italia me 1 mars. Fluturimet nga Italia Veriore u ndërprenë pas 1 marsit! Rasti tjetër i identifikuar në Kosovë u tregua se kishte ardhur nga Italia me 5 mars! Fluturimet nga tërë Italia u ndërprenë pas 5 marsit! Rastet e importuara nga Britania e Madhe arritën me 16 mars, u kapën 3 në aeroport! Por, të tjerët? Ku janë? Janë këshilluar të vetizolohen? Sa prej tyre do të vetizolohen? Edhe po të vendosin të vetizolohen, sa dinë të vetizolohen? A do ta ndajnë banjon, kuzhinën apo pajisjet e tjera shtëpiake me familjarët e tyre? A dinë ata si bartet virusi? Për njerëz ARROGANTË dhe INJORANTË që thonë: “Unë nuk kam simptoma, prandaj nuk jam rrezik për të tjerët!”, a u është treguar se TI mund të jesh i infektuar, mund të mos kesh simptoma dhe rrjedhimisht mund të jesh bombë e kurdisur që qindra të tjerëve do t’ua bartësh infeksionin?! Aq më shumë, këta njerëz kthehen në Kosovë pas 1 marsit, kur epidemia ka qenë në kulm në Itali, dhe kam dyshime shumë të mëdha, fatkeqësisht, se pjesa e konsiderueshme e tyre janë vetizoluar (siç është dëshmuar edhe me lëvizjet e pamatura të italianes në Klinë apo të shqiptarit 77-vjeç në Stubëll)!

A është i rastësishëm suksesi i Kinës apo i Koresë Jugore që kanë zbatuar përshkallëzimin e menjëhershëm të masave në izolim të plotë? A është për t’u kritikuar apo admiruar që provinca Hubei është gati ta mbush muajin e dytë të karantinës së plotë dhe karshi kësaj karantine, raportohen 19 apo 11 raste në ditë ditëve të fundit karshi rritjes galopante të ditëve të para prej mijëra sosh? Përkundër thirrjes së vazhdueshme që njerëzit jashtë Kosovës të mos vijnë në Kosovë (e kam fjalën për ata që janë banorë rezidentë të shteteve evropiane), kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Mund të arsyetohen se i kanë prindërit dhe familjarët këtu, është e kuptueshme deri diku. Mund të kritikohen italianët përse i lëshojnë të dalin nga Italia. Por, duhet kuptuar se për Italinë, një njeri më pak në Itali do të thotë një burim potencial më pak i infeksionit. Prandaj, ne duhet ta ruajmë oborrin tonë!

Mendoj që qeveria duhet urgjentisht t’i identifikojë të gjithë personat që kanë hyrë në Kosovë pas 1 marsit dhe t’i grumbullojë në një qendër izolimi (ME DETYRIM) – i cili sipas mendimit tim do të mund të ishte Qendra e Studentëve në Prishtinë pasi ka dhoma, shtretër, ngrohje qendrore, kuzhinë dhe banjo – për t’i mbajtur për një periudhë 2 apo 3 javore. Një arsye tjetër do të ishte që të izoloheshin me qëllim të kryerjes së testeve për koronavirusin (nëse shteti ka kite të mjaftueshme) dhe pas rezultatit negativ eventualisht të liroheshin në shtëpitë e tyre. Të gjithë ata të cilët do të hyjnë tani e tutje nëpër pikat kufitare medoemos do të duhej të izoloheshin për së paku 14 ditë në një qendër të lartpërmendur. Nuk ka vend më për këshilla, porosi, vetëdijesim apo ndërgjegje!

Masa tjetër urgjente e Qeverisë do të duhej të ishte ngjashëm me atë të simotrave italiane, spanjolle, franceze, nesër angleze e pasnesër amerikane, që të shpallej QËNDRIMI I DETYRUAR NË SHTËPI, me lejim të njërit prej anëtarëve të familjes që me maskë, doreza e pajisje mbrojtëse të dalë dhe të furnizohet për ushqime dhe nevoja të tjera shtëpiake. Po t’i lësh njerëzit që të vendosin për urgjenca të daljes, prapë do të mbetet shumë relative urgjenca e gjithsecilit!

Kjo, ngase e pashmangshmja po afrohet. Në Itali dhjetëra, në mos qindra punëtorë shëndetësorë janë infektuar dhe detyrimisht janë izoluar. Në Kinë 3 mijë punëtorë shëndetësorë, në Shqipëri 8, në SHBA disa janë infektuar. Është pyetje çasti kur do të fillojnë të vdesin të infektuarit e parë në Kosovë, kur do të fillojnë të infektohen mjekët e infermierët e parë, kur do të fillojmë të pyesim cilin respirator për kë ta ruajmë dhe larg qoftë, kujt t’i japim përparësi për ta shpëtuar? /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë